Shkup, 19 gusht – Përfundoi anketa në të cilën shkupjanët kanë mundur të propozojnë emra të rinj të toponimeve (rrugëve, bulevardeve, urave, shesheve, parqeve dhe objekteve të tjera infrastrukturore). Anketën e publikoi Qyteti i Shkupit më 29 korrik të këtij viti, ndërkaq ishte e hapur deri dje, 18 gusht.
Qytetarët patën mundësi të propozojnë vetëm emra të toponimeve, por jo edhe lokacione të cilat do të emëroheshin me ato emra.
Në ueb-faqen e Qytetit të Shkupit u publikua rregulloren-onllajn përmes të cilës qytetarët mundën të dërgonin propozime të veta për toponime përmes internetit, me përgjigje të disa pyetjeve. Ata qytetarë që nuk përdorin internetin, patën mundësi që propozimet e veta përmes postës t’i dërgojnë në Qytetin e Shkupit, më së voni deri dje.
Në pajtim me Ligjin për caktim të emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, emrat e toponimeve të qytetit “mund të përcaktohen me shënim tjetër gjeografik, etnografik, historik dhe tjetër, emër të ndonjë personaliteti të shquar nga fusha e historisë, shkencës dhe kulturës, emra të tjerë të përshtatshëm, si dhe me emër të ndonjë ngjarjeje apo date të rëndësishme në bazë të listës së emrave”.
Emrat e propozuar nga qytetarët do t’i shqyrtojë Komisioni për ndryshim të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore të Këshillit të Qytetit të Shkupit, që ka për detyrë ta përpilojë listën me emra në pajtim me dispozitat e këtij Ligji. Lista në formë të propozimit i parashtrohet Këshillit të Qytetit të Shkupit, i cili e konstaton sipas mendimeve të marra paraprakisht nga komunat në pajtim me Qeverinë.
Komisioni për emërimin e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore të Këshillit të Qytetit të Shkupit do t’i shqyrtojë propozimet e qytetarëve, por nuk ka për obligim të gjitha ato t’i përfshijë në listën që do t’i propozohet Këshillit.
Ekzistoi interesim i madh tek shkupjanët që të përfshihen në anketë. Qytetarët me të cilët bisedoi MIA, thonin se tashmë e kanë plotësuar pyetësorin-onllajn. Propozimet e tyre, siç na deklaruan, më shpesh kishin të bënin me personalitete të cilat kanë kontribuuar për afirmimin e Shkupit dhe shtetit.