Athinë, 14 nëntor – Për çështjet aktuale dhe temat me interes të përbashkët, kanë biseduar Kirjakos Micotakisi dhe Zoran Zaevi në takimin e tyre në kuadër të Samitit në Selanik, me fokusin e vendosur në përfundimet e Samitit të BE-së, sipas kumtesës së kabinetit të kryeministrit grek, transmeton gazeta KOHA.
“Diskutimi u përqendrua në përfundimet e para pak kohe të Këshillit Evropian më 17 dhe 18 tetor, me çka kryeministri e konfirmoi pozicionin shumëvjeçar të vendit tonë për mbështetjen e politikës evropiane për zgjerim me Ballkanin Perëndimor, që do të kontribuojë për sigurimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin më të gjerë. Gjithashtu përmendi se Greqia luajti dhe do të vazhdojë të luajë rol aktiv në secilin drejtim që të sigurohet kjo rrjedhë. Micotakis e përsëriti kritikën e tij për Marrëveshjen e Prespës, por theksoi se nga momenti kur i obligon të dyja vendet është parakusht për rrjedhë evropiane, duhet të zbatohet dhe të shmangen veprimet të cilët e mbajnë tensionin”, kumtojnë nga kabineti i kryeministrit grek.
Prej atje shtojnë se dy kryeministrat janë pajtuar se forcimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore si dhe bashkëpunimit rajonal mbesin kritere thelbësore për të gjitha fazat e procesit të anëtarësimit, por edhe për përforcimin e marrëdhënieve tona bilaterale.
Micotakisi dhe Zaevi e kanë shprehur vullnetin e ndërsjellë për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes të dyja vendeve, si dhe për zbatimin e projekteve të cilat do ta lehtësonin lidhjen në rajon në favor të tregtisë bilaterale.(koha.mk)