Nga Emin AZEMI
Kosova ka agjendë europiane dhe elita politike e institucionale e saj nuk duhet të lëshohet në debate e konfrontime që zhvendosin prioritet e saja dhe fusin aktorë të rinj e të vjetër në “monitorët” e krizave të sajuara. Të arriturat e deritanishme të Kosovës, që nga çlirimi i saj e deri më sot, mbajnë vulën e përbashkët të sakrificave me dekada të popullatës vendore dhe solidaritetit ndërkombëtar, posaçërisht të institucioneve europiane e atyre amerikane. Në këtë kontribut madhor nuk ka munguar edhe angazhimi diplomatik, ushtarak e ekonomik i Turqisë dhe kjo e fundit është atdhe i dytë i miliona shqiptarëve, të shpërngulur harbutërisht nga klika rankoviqiane e Beogradit. Shqiptarët në Turqi janë “infuzioni” më potent i “rumelive” që kanë dhënë jo pak shtytje ekonomike, ushtarake, kulturore, shkencore, politike në këtë shtet euro-aziatik.
Prandaj të gjithë ata që nguten të dërgojnë ndonjë fjalë të pamatur në adresë të politikanëve të Kosovës, nuk duhet ta harrojnë hallkën e fuqishme të elementit shqiptar që lidhë këta dy popuj dhe hallkat e tilla nuk mund të mbahen me provokime e retorikë të pamatur, por me miqësi, respekt reciprok dhe ndjesi njerëzore për probleme të përbashkëta.
Historia e Ballkanit është komplekse dhe gjithkush që është munduar ta thjeshtëzojë shpjegimin për heronjtë dhe antiheronjtë e këtij rajoni, është ballafaquar me dilemën që del nga pafuqia e rirreshtimit në një hierarki vlerash civilizuese, pa cenuar dinjitetin, mëvetësinë dhe lirinë e çdo populli.
Kosova dhe Maqedonia, janë dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor që nuk janë të inkuadruar në sistemin kolektiv të sigurisë – në Aleancën Veriatlantike të NATO-s. Mirëpo këto dy vende vazhdojnë të paguajnë tagrin e pasojave nga konfliktet e pambyllura ballkanike. Njëra me Greqinë, tjetra me Serbinë, vazhdojnë të kenë probleme të hapura, kurse jo pak “kaçubetë” po kujdestarojnë mbi qiellin e Kosovës dhe Maqedonisë për të sqeposur kërmën, që ata mund ta quajnë trofe të ndonjë konfigurimi të ri gjeopolitik.
Po ti pyetni diplomatët e Brukselit se çka quajnë ata politikë të jashtme, pa dyshim që Ballkanin Perëndimor ata nuk e fusin në këtë atribut gjeo-diplomatik. Por, në anën tjetër anketat e shumta që hulumtojnë euroskepticizmin në vende të ndryshme, do të nxjerrin shqiptarët të parët që kanë preferenca dhe orientime të qarta properëndimore, ndërkohë që në Serbi e Maqedoni euroskepticizmi te pjesa e popullatës serbe e maqedone shënon kuota të larta. Shqiptarët në rajon mund të kenë problem me elitat e tyre, mirëpo ata nuk kanë kurrfarë problem me përcaktimet e tyre civilizuese, prandaj na duket cinike politika integruese e Brukselit, e cila po tregohet një hap prapa atyre që duan të ndërhyjnë, përmes komploteve e skenarëve, në këto përcaktime të shqiptarëve.
Prandaj, na duket joracionale konfrontimi i mëtejmë i Kosovës me Turqinë, sepse ky mund të jetë një film që bën të lumtur një tufë njerëzish me orientime proruse në Serbi. Kosovës këtyre ditëve duhet t’i gjendet më afër Brukseli e Uashingtoni për të vazhduar procesin e konsolidimit të rrugëtimit Perëndimor. Në anën tjetër, nuk guxojnë të reprizohen situatat traumatike nga koha e Krizës Lindore (në vitet 50 të shek. 19), atëherë kur shqiptarët i gjeti në marrëdhënie të acaruara me Perandorinë Osmane, për shkak të refuzimit të kërkesave të tyre gjatë dhjetëvjeçarëve të mëparshëm nga Porta e Lartë, dhe për pasojë – jo pak vende fqinje përfituan nga ky acarim.
Kova ka jo pak probleme të hapura dhe ajo nuk do të duhej ta ulë kokën me çdo çmim për t’i mbyllur ato. Aleatët e vërtetë, madje edhe ata që po lavdërohen se e kanë njohur pavarësinë e saj, bashkë me SHBA, duhet të heqin dorë nga mendësia kolonialiste.
Projektimi i ardhmërive të popujve nëpër Jalta, Shën Stefana, Bukureshta, Londra, Berlina e Llozana është treguar defekti më i madh i historisë. Ardhmëria e një populli është vetëm në duart e tij dhe Zotit. (koha.mk)