PËRFITIMET NGA PANDEMIA: Rritet lexueshmëria

56

Të rinjve entuziastë karantina iu ka ndihmuar që t’i përfundojnë disa libra që kanë qenë në listat e tyre për tu lexuar. Madje, mbyllja e shkollave dhe universiteteve, si dhe zhvillimi i ligjëratave apo orëve mësimore nga distanca, ka ndihmuar studentët që t’i kushtojnë më shumë kohë leximit jashtë atij profesional

Zenel MIFTARI

Shkup, 26 nëntor – Në kohën kur bota po përballet me pandeminë e virusit korona dhe sipas rekomandimeve, ndalohen grupimet e më shumë personave, një numër i madh i qytetareve po shfrytëzojnë këtë kohë edhe për lexim të librave të ndryshme. Sipas statistikave, në numrin më të madh të bibliotekave në vendin tonë numri i lexueseve është rritur tej mase. Bibliotekat shpjegojnë se ata kanë lexues nga të gjitha moshat dhe lexojnë libra nga zhanre të ndryshme. Punonjësit e bibliotekave, deklarojnë për mediumet se këtë vit është rritur ndjeshëm numri i qytetareve të regjistruar në biblioteka. Ata kanë shtuar se është e vërtet që këtë vit po lexohet më shumë, si shkak i pandemisë. Sipas tyre, lexuesit nga në biblioteka marrin libra nga të llojllojshme si romanet, letërsi profesionale, lektura për fëmijë, por më të kërkuarat janë psikologji dhe letërsi e huaj. Në fund shtojnë se para se të filloj karantinimi kanë pritur që të ndodhë e kundërta, pra të bjerë numri i lexueseve dhe jo çdo ditë e më shumë të rritet numri i lexueseve në bibliotekat e tyre.

Të rinjve entuziastë karantina ju ka ndihmuar që t’i përfundojnë disa libra që kanë qenë në listat e tyre për tu lexuar. Madje, mbyllja e shkollave dhe universiteteve, si dhe zhvillimi i ligjëratave apo orëve mësimore nga distanca, ka ndihmuar studentët që t’i kushtojnë më shumë kohë leximit jashtë atij profesional. Ata thonë se gjatë kufizimit të lëvizjes dhe mbylljes disa ditore në shtëpi, kanë tentuar që ta kalojnë me produktivitet ditën duke lexuar libra të llojllojshme.

Albanologia Donika Bakiu, për gazetën KOHA, ka thënë se periudha e pandemisë, që nga muaji mars e këndej ka qenë periudhë e rëndë për të gjithë ne, pasi që nuk jemi mësuar një sistem të tillë jetese. “Edhe pse për lexim duhet të jenë libra motivues, veçanërisht gjatë karantinës por qëllimi ishte të qëndrojmë në shtëpi dhe të ruhemi nga virusi korona dhe lexoja çfarë librat që kisha në shtëpi, pasi që u mbyllën edhe bibliotekat. Por kur u hapën bibliotekat e kisha shumë më të lehtë të gjeja librat e preferuara”, deklaroi Donika. Ajo shtoi se ka lexuar madje shumë më shumë ndoshta edhe pse gjithmonë ka bërë studime rreth leximit se sa lexojnë të rinjtë dhe se duhet të lexojnë.
“Jam studente në shkollën e doktoratës në UEJL dhe u përkushtova më shumë në materialet për punimet të doktoraturës, ndiqja trajnime dhe konferenca online anë e mbanë Botës. Në kohën ku mënyra jonë e jetës dhe kufizimi i ndjeshëm i rutinave tona detyrimisht është sfiduar dhe të mos flasim në fillimet e pandemisë nga muaji mars, sepse nga një jetë shumë aktive ne kaluam në atë pasive ose në jetën online”, u shpreh ajo. Donika, u shpreh se është shumë normale të ndihemi të stresuar, pasi që çdo ndryshim i shpejtë dhe i detyruar kërkon shumë kohë që të procesohet nga truri ynë derisa të arrihet në një gjendje drejtpeshimi ose të bindemi se duhet kështu të jetojmë sepse kemi një “luftë “ me virusin korona. Në fund ajo propozoi dhe disa tituj të cilët i ka lexuar dhe sipas saj duhet ti lexojnë edhe të tjerët: Elif Shafak- “Bastardja e Stambollit”,”Çiraku i Arkitektit”, Paulo Coelho-“ Alkimisti”, Herman Hesse ‘’Siddharta’’ dhe Mirela Sula “Mos e Lër Mendjen të Ikë”.

Studenti Abedin Ismaili, është shprehur për gazetën KOHA, se fat në fatkeqësi ishte që lëvizjet tona ishin të kufizuara por koha jonë ishte e pakufizuar, prandaj si diçka përfituese e kishim kohën e lirë të mjaftueshëm, për ta shfrytëzuar për lexim. “Unë si shumë studentë të tjerë e kam shfrytëzuar këtë kohë duke shtuar leximin jashtë asaj profesionale apo universitare. Uroj që nga kjo pandemi të na mbetet të paktën ky ritëm i të lexuarit, që edhe pasi të lirohemi në lëvizje të gjejmë kohë për të lexuar, sepse me librin nuk kalohet koha e lirë, por duhet që për librin të gjejmë kohë të lirë”, mendon Abedini. Ai ka shtuat se gjatë izolimit më shumë se kurrë kemi nevojë që të lexojmë libra socio-psikologjik, që të mbajmë në nivel disponimin dhe humorin. Në fund ai tha që gjatë gjithë apeleve për “distancë fizike”, mes personave, ngrohtësinë e vetme mundnim ta gjenim në mes librave, pasi që rreziku ishte i madh që njerëzit të kalojnë në depresion.

Ndryshe, sipas disa statistikave të publikuara librat më të kërkuara dhe që janë shitur janë librat: “Tatuisti i Aushvicit”, Heather Morris, Ikigai”, Albert Liebermann, “E shoh çfarë po mendon”, Joe Navarro, “Gjyetari i balonave”, Khaled Hosseini, “Prilli i thyer” e “Kush e solli Doruntinën” nga Ismail Kadare, “Shitësi i këpucëve”, Phil Knight, “Dyzet rregullat e dashurisë”, Elif Shafak, “Dashuria në kohërat e kolerës”, Gabriel Garcia Marquez, “Murtaja”, Albert Camus dhe “1984”, George Orwell. (koha.mk)