Sindikalistët kërkojnë që qeveria pas rritjes së pagës minimale në 12 mijë denarë, të intervenojë sërish me qëllim që paga minimale të rritet në së paku 15 mijë denarë me qëllim që punëdhënësit të pranojnë masat qeveritare për rritjen e pagave
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 gusht – Të punësuarit në Maqedoni vite me radhë rangohen ndër më pak të paguarit në rajon dhe Evropë. Këtë e mbështesin edhe të dhënat statistikore, sipas të cilave, punëtorët në Luksemburg pranojnë pagë minimale mujore prej afër 2000 euro që është e barabartë me pesë paga mesatare në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.
Ekonomistët thonë mungesa e reformave dhe investimeve, por edhe ambienti jostabil me të cilin ndeshet biznesi , kërkesa më e madhe se oferta në tregun e punës , si dhe shpërndarja jo e barabartë e rritjes ekonomike për të gjithë qytetarët e Maqedonisë , janë ndër shkaqet kryesore pse të punësuarit në Maqedoni nuk paguhen sa duhet. Nga ana tjetër, përshpejtimi i integrimeve euroatlantike për ekonominë e Maqedonisë pritet të sjellë përfitimetë shumta.
Analistët thonë se anëtarësimi i shtetit në NATO garanton sigurinë e tij, inkurajon investimet e huaja dhe vendore, si dhe mundëson rritje më të madhe ekonomike, stabilitet, garanci për prosperitet ekonomik, si dhe përmirësim i pozitës ndërkombëtare të shtetit. Kështu vlerësohet anëtarësimi i shteteve në NATO. Analizat tregojnë se të gjithë 12 shtete që pas rënies së murit të Berlinit u anëtarësuan në NATO, shënuan rritje të investimeve të huaja
Në ndërkohë, sindikalistët kërkojnë që qeveria pas rritjes së pagës minimale në 12 mijë denarë, të intervenojë sërish me qëllim që paga minimale të rritet në së paku 15 mijë denarë me qëllim që punëdhënësit të pranojnë masat qeveritare për rritjen e pagave .
“Biznesi mund ti lejojë vetes të rrisë edhe më tej pagat përkundër ankesave të tyre të ndryshme në këtë drejtim , në të kundërtë n do të ishim dëshmitarë në vitet e kaluara të mbylljes së më shumë bizneseve që tregon se ka hapësirë për rritjen e pagave . Bile më shumë kompani as që mund të gjejnë punëtorë me këto paga që I ofrojnë prej 12 mijë denarë”, thotë sindikalisti Drage Jovanovski.
Kohë më parë nga SBASHK , apo Sindikata e pavarur e arsimit, shkencës dhe kulturës janë ankuar për rritjen e ulët sipas tyre prej vetëm pesë për qind e të punësuarve në arsim dhe shkencë. Ato kanë paralajmëruar grevë në muajin shtator në rast të mos nënshkrimit të marrëveshjes kolektive , rritjes dhe unifkimit të p agave dhe kushteve të punës nëpër çerdhe.
“Statusi social i të punësuarve në mbrojtjen e fëmijëve, në arsimin fillor, në atë të mesëm dhe të lartë, shkencë dhe kulturë, janë larg mesatares së pagave në Maqedoni dhe nën dinjitetin e profesionit. Kështu për shembull përgëdhellset marrin nga 14 mijë denarë, edukatoret në çerdhe nga 18 mijë denarë, ndërsa arsimtarët në shkollat fillore dhe të mesme nga 21 mijë denarë”. thonë nga SBASHK, duke shtuar se zgjidhje e pranueshme për ta është vetëm rritje prej 30 për qind e pagave në një dinamikë të arsyeshme në vitet e ardhshme.
Në ndërkohë edhe nga Sindikata e Qendrave Klinike në Shkup por edhe më shumë klinika në tërë Maqedoninë janë shprehur se për ta nuk është e pranueshme rritja prej vetëm pesë për qind e mjekëve për vitin 2018, ndërsa kërkojnë rritje prej së paku 15 për qind.
Ndryshe, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ONP), paga minimale përkufizohet si “shuma minimale e pagesës (shpërblimit) që punëdhënësi duhet ti paguajë rrogëtarëve për punën e kryer gjatë periudhës së dhënë kohore, e cila nuk mund të zvogëlohet me marrëveshjen kolektive ose me kontratë individuale” (International Labour Organization, 2016) Paga minimale gjithashtu është mjet publik për qeveritë që të ndërhyjnë në tregun e punës me qëllim të mbrojtjes së grupeve më të cenueshme, zakonisht punëtorëve pa përgatitje profesionale, me qëllim të ofrimit të minimumit të standardit jetësor për punonjësit.
Në Europë, banorët e Luksemburgut kanë pagën më të lartë minimale mujore prej 1,998 euro. Ndërsa në vend të dytë me një diferencë afër 400 eurosh, janë të punësuarit irlandez, të cilët marrin pagë minimale mujore prej 1613 euro. Sipas të dhënave të EUROSTAT-it, në vend të tretë nga dhjetë vendet e Bashkimit Evropian që kanë pagë minimale më të lartë mujore, është Holanda me 1578 euro, por jo shumë larg holandezëve janë belgët që marrin pagë prej 1,562 euro. Francezët dhe gjermanët marrin paga të njëjta prej 1,498 euro, ndërsa britanikët marrin pagë jo më shumë se 1,400 euro. Poshtë vlerës së pagës prej 1,000 eurove janë punëtorët spanjoll që paguhen 858 euro, ndjekur nga sllovenët që paguhen me 842 euro, ndërsa të fundit në listën prej dhjetë vendeve që kanë pagën minimale mujore më të lartë në vendet e Bashkimit Evropian janë banorët e Maltës që paguhen 747 euro. (koha.mk)