Nga Arlinda CANAJ
Në vitin 1821, marrëdhëniet e grekëve kryengritës dhe hebrenjve përbënin pasojën e drejtëpërsëdrejtë të armiqësisë që ndante dy komunitetet heterodokse në kuadrin e Perandorisë Otomane. Në librin e tij “Bashkëpatriotë të padëshiruar” Jorgos Margaritis do të shprehet se në fillimin e revolucionit grek, marrëdhëniet ndërmjet dy komuniteteve ishin marrëdhënie vdekjeje. Episodi që sipas autorit ishte një shkëndijë zjarri ishte vrasja e Patriarkut të Ortodoksisë dhe përqeshja e këtij akti nga turma hebraike. Filloi kështu një nga periudhat më të vështira mes grekëve dhe komunitetit hebraik.
Në shtator të vitit 1821 në betejën e Tripolicës, popullsia hebraike e rrethuar, u konsiderua njëlloj si popullsia myslimane. Hebrenjtë u përpoqën që të shpërblenin jetën e tyre me florinj, por nuk ia arritën. Pjesa më e madhe e tyre u vranë për shkak të përkatësisë së tyre fetare. Një ngjarje tjetër pak muaj më vonë do të trondiste komunitetin hebraik. Në 2 prill të vitit 1891 në qytetin e Korfuzit u gjet kufoma e një vajze 19-vjeçare. Ishte masakruar e tëra dhe ashtu e lyer në gjak ishte lënë pranë sinagogës së qytetit. Quhej Rubina dhe ishte vajza e një rrobaqepësi hebre. Autoritetet greke u angazhuan ta përshkruanin si një kurth pasioni por komuniteti hebraik nuk e quajti gjë tjetër veç një sulm antisemit. Por grekët përsëri do e manipulonin këtë histori, siç kanë bërë gjithnjë dhe do fillonin sulmin e ashpër kundër tyre. Turma të tëra grekësh të Korfuzit u mblodhën dhe filluan të godasin hebrenjtë me gurë, i vunë zjarrin shtëpive të hebrenjve dhe keqtrajtonin në rrugë çdo hebre. Aq e rënduar ishte gjendja sa forcat ushtarake greke rrethuan lagjen e hebrenjve për më shumë se një muaj. Aksioni anti-semit u përhap në gjithë Greqinë. Në Levkadë autoritetet u detyruan të mbyllin popullsinë hebraike në fortesë, në kushte të tmerrshme për ta mbrojtur, ku hebrenjtë u detyruan të vujnë urinë dhe të vdisnin nga mosushqyerja. Këto ngjarje tërhoqën vëmendjen e shtypit kombëtar dhe shumë personalitete botërore ndërhynë mbi këtë situatë. Keqtrajtime dhe vrasje hebrenjsh u shënuan dhe në krahina të tjera të vendit. Nga sulmet e ashpra që i bënin këtij komuniteti me qindra hebrenj braktisën shtatë ishujt duke emigruar drejt Egjiptit. Sipas Margaritis, antismitizmi do të përshkallëzohej në vitet 1930. Grekët nuk e harruan favorizmin që i bënë organizatat hebraike çështjes së Maqedonisë. Më 23 qershor të vitit 1931 në Selanik u përhapën fjalë se përfaqësuesi i organizatës atletike dhe kulturore hebraike, Makabi, mori pjesë në vitin 1930 në Mbledhjen e Komitetit Maqedonas në Sofie, ku u vendos autonomia e Maqedonisë. Kjo gjë do të krijonte një konflikt të ashpër me hebrenjtë, aq sa Bashkimi Kombëtar Mbarëstudentor qarkulloi një deklaratë të atillë:
“Këta njerëz, të cilët tregohen të gatshëm të marrin pjesë në festat tona kombëtare, nuk lënë asnjë rast t’ju shpëtojë të përgojojnë idealet tona, pa u përpjekur të na zhdukin nga faqja e dheut. Hebrenjtë janë ata të cilët poshtërojnë Patriarkun e Kostandinopojës. Janë ata të cilët si komunistë bashkëpunojnë me komitetasit për të hapur varrin e Greqisë. Hebrenjtë janë ata që botojnë tre gazeta frankofone dhe asnjë grekofone. Ata janë shtetas të huaj, ndërkohë që pasurohen në Greqi. Ata përgojojnë elementin mbarë grek dhe marrin pjesë në mbledhjet e komitetsave, duke deklaruar autonominë e Maqedonisë.
Popull grek! Është detyrimi yt të fillosh një bojkotim të egër kundër hebrenjve. Kështu do tregosh se je një popull unik, që nuk dëshiron të vdesësh. Përpara grekë, filloni me entuziazëm luftën dhe përgatituni për luftëra më të mëdha”.
Sigurisht që kjo thirrje do kishte impakt dhe në fakt menjëherë u dogj lagjja hebraike në Kabel. Thirrjeve të studentëve iu bashkuan dhe Bashkimi Kombëtar Elas e shumë organizata të tjera por dhe vëmendje ndërkombëtare. Qeveria thuajse e kaloi në heshtje faktin që kryeqyteti grek u bë qendra botërore e lëvizjeve antisemitiste. Duke rreshtuar shumë ngjarje historike Margaritis nuk harron të theksojë shfarosjen që iu bë hebrenjve gjatë luftës së Dytë Botërore në Greqi. Hebrenjtë u konsideruan si bashkëpunëtorë të pushtuesit ashtu siç u konsideruan dhe çamët. Por kjo nuk përbën në fakt një të vërtetë historike. E vërteta qëndron e gjitha tek pasuria e çifutëve. Dhe këtu do të hyjë në lojë Patriarkana greke. Kisha ortodokse greke ka trashëguar një traditë të rëndë antihebraizmi që nga koha e perandorisë otomane. Kulmin e armiqësisë me hebrenjtë e arriti me vrasjen e patriarkut ortodoks Grigori V në prill të vitit 1821 që siç e përmendëm më lart shkaktoi në tërë Greqinë një lëvizje të paskrupullt ndaj komunitetit hebre. Por sigurisht masakra më e madhe do të ishte kur Greqia u pushtua nga gjermanët. Dëbimi i këtij komuniteti do të fillojë nga Selaniku, një komunitet që kishte mbi 5 shekuj që ishte vendosur në këtë vend. Komuniteti që kishte ardhur nga Spanja fliste kryesisht gjuhën e tij amtare, latinen dhe kishte karakteristika të forta kulturore, të cilat nuk ishte e mundur të asimiloheshin me karakterin e ri kombëtar të qytetit. Më 11 korrik 1942 të gjithë hebrenjtë meshkuj u thirrën nga autoritetet gjermane për t’u mbledhur në sheshin Elefteria, në qendër të qytetit, për t’u regjistruar dhe për të qenë të gatshëm për punë të detyruar. Sipas Hagen Fleischer, autoritetet gjermane e justifikuan këtë iniciativë, të detyruar nga protesta e oficerëve të qytetit, individualiteteve dhe udhëheqësve të bashkimeve profesionale, të cilët ishin ankuar se popullsia hebraike gëzonte privilegje të pabarabarta në regjimin pushtues. Nga ajo ditë ky komunitet do të bëhej objekt i presioneve të shumta, i poshtërimeve dhe masave asgjësuese deri në dramën e madhe që i priste. Në 25 shkurt 1943 autoritetet gjermane filluan të zbatonin masa shtesë kundër hebrenjve. Hebrenjtë u mbyllën në geto dhe u detyruan të vënë një yll të verdhë si shenjë dalluese. Ky yll do të vihej kudo: në shtëpi, në dyqane dhe çdo gjë që u përkiste hebrenjve. Në maj të vitit 1943 filloi zhvendosja e hebrenjve në kampet e vdekjes. Ajo që mund të vihet në dukje në këtë rast është se nuk ka asnjë përpjekje në shtypin grek, nga popullsia dhe personalitetet mbi këtë çështje. Shoqëria greke nuk ndoqi predispozitat antisemitike të pushtuesve gjermanë por i konsideroi si probleme që kishin gjermanët me komunitetet hebraike dhe kjo ishte një çështje e tyre e brendshme dhe jo çështje kombëtare për Greqinë dhe grekët. Nga 2000 hebrenj vetëm 120 mbijetuan.
Dhe në fund qershia mbi tortë. Nga vdekja e hebrenjve kisha kishte fitime marramendëse. Të gjitha pasuritë e hebrenjve që vdiqën në Holokaust i mbetën çuditërisht kishës greke.
(Jorgos Margaritis lindi në Athinë në vitin 1954. Jep Historinë Moderne në Degën e Shkencave Politike të Universitetit të Shkencave Politike të Universitetit Aristoteli të Selanikut. Nga viti 1984 deri më 2004 ka qenë pedagog në Universitetin e Kretës)