Përfitimet e mira të çokollatës

33

Hulumtimet sugjerojnë se njerëzit që hanë sasi të kontrolluar të çokollatës së zezë, të paktën një herë në javë, janë më pak të rrezikuar nga diabeti i tipit 2. Gjithashtu ata që tashmë vuajnë nga kjo gjendje, por konsumojnë sasi të kontrolluar të çokollatës së zezë, kanë presion më të ulët të gjakut dhe nivel më të vogël të sheqerit në gjak, krahasuar me ata që konsumojnë çokollatë të bardhë

Sikur të kishim nevojë për më shumë arsye që ta duam çokollatën. Sipas Abbie Gellman, shefe në Institutin e Edukimit Kulinar, çokollata ka përfitime shëndetësore si antioksidantë dhe aminoacide, të cilat kur konsumohen me masë, ndihmojnë në mbrojtjen e sistemit kardiovaskular, zvogëlimin e inflamacionit dhe të tjerë. Dhe duke qenë se me rastin e Ditës së të Dashuruarve konsumimi i çokollatës rritet, është mirë t’i mësoni të mirat dhe vlerat ushqyese që i përmban ky lloj deserti.

Megjithëkëtë, mundohuni ta shmangni konsumimin e tepruar të sendeve që përmbajnë sasi të mëdha të sheqerit, sepse kështu i kundërshtoni vlerat e mira ushqyese që i sjell kakao dhe të cilat e promovojnë shëndetin. Çokollata është e mbushur me një larmi flavonoidesh. Një kockë e çokollatës së zezë siguron afërsisht 140 miligramë flavonoide. Është vërtetuar se këta antioksidantë kanë efekt pozitiv në rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Për efekt më të dobishëm të çokollatës rekomandohet të hani çokollatën e zezë. Sa më e madhe përqindja e kakaos në çokollatë, aq më mirë do të jetë për shëndetin tuaj.

Sipas Gellmanit, çokollata mund të sigurojë sasi të konsiderueshme të argininës, që është një aminoacid i nevojshëm për prodhimin e oksidit nitrik. Oksidi nitrik e përmirëson qarkullimin e gjakut, lufton inflamacionin si dhe e rregullon presionin e gjakut duke e bërë zgjerimin e enëve të gjakut. Për më tepër, flavonoidët në çokollatën e zezë mund të ndihmojnë në rritjen e ndjeshmërisë ndaj insulinës. Në thelb, ky është lajm i mirë për diabetikët e tipit 2. Insulina është një hormone i sekretuar nga pankreasi, që e kontrollon sasinë e glukozës në qarkullimin e gjakut. Gjithashtu ndihmon në ruajtjen e glukozës në dhjam, muskuj dhe mëlçi, si dhe rregullon metabolizmin e përgjithshëm të karbohidrateve, proteinave dhe yndyrave. Insulina është ajo që mungon tek diabetikët dhe para-diabetikët. Prandaj ndjeshmëria ndaj insulinës luan rol të rëndësishëm për reagimin e duhur të trupit tonë ndaj ushqimit.

Hulumtimet sugjerojnë se njerëzit që hanë sasi të kontrolluar të çokollatës së zezë, të paktën një herë në javë, janë më pak të rrezikuar nga diabeti i tipit 2. Gjithashtu ata që tashmë vuajnë nga kjo gjendje, por konsumojnë sasi të kontrolluar të çokollatës së zezë, kanë presion më të ulët të gjakut dhe nivel më të vogël të sheqerit në gjak, krahasuar me ata që konsumojnë çokollatë të bardhë. Përmbajtja e fibrave, yndyrave dhe proteinave të çokollatës, gjithashtu mund të ndihmojë në rritjen ndjesisë së ngopjes. Por mos harroni, derisa përbërësit e gjetur në kakao mund të ofrojnë disa përfitime të fuqishme shëndetësore, ekzistojnë ushqime tjera të cilat përmbajnë vlera ushqyese më të dobishme për organizmin, sjellin përfitime më të mëdha antioksidues, ndihmojnë me shëndetin e zemrës, ulin nivelin e sheqerit në gjak si dhe përmbajnë sasi më të vogla të sheqerit.