Perez trondit ortakët e Realit, kërkon 575 milionë euro

Real Madrid-i i Florentino Perez po shikon drejt së ardhmes dhe po mendon të ristrukturojë “Santiago Bernabeu”. Por bëhet fjalë për një operacion me kosto marramendëse, aq sa presidenti i “Los Blancos”, sipas “AS”, do t’i kërkojë ortakëve që të marrë një hua prej 575 milionë euro, e cila do të shlyhet në 35 vitet e ardhshme. Numri një i madrilenëve do ta bjë këtë propozim 23 shtatortin e ardhshëm, dita kur do të mblidhet asambleja e ortakëve.

Rinovimi i impiantit ka trembur shumë anëtarë të asamblesë, të cilët nuk janë të bindur nga plani afatgjatë i Perez, që do të kushtëzonte edhe lëvizjet e klubit në merkato. Siç dihet, kampionët e Europës nuk kursehen kur bëhet fjalë për të blerë yjet e botës së futbollit.

Pak ditë më parë, Real ka publikuar të ardhurat rekord të sezonit të kaluar (751 milionë euro), pa marrë në konsideratë faktin se kësaj shumë nuk i janë shtuar paratë e fituara nga shitjet e lojtarëve, mes të cilëve ka qenë edhe Cristiano Ronaldo, i transferuar tek Juventus për rreth 120 milionë euro.