Aktualisht më shumë se 250 mijë studentë, nga 180 vende janë regjistruar në Rusi, kurse rreth 15,000 bursa ndanen për studentët e huaj. Në Maqedoni ka organizime të shumta në lidhje me studimet në Rusi mirëpo numri i të interesuarve nuk është i madh. Studentët shprehen se sistemi arsimor është pothuajse i njëjtë me atë të Maqedonisë. Ata vendet perëndimore për të vazhduar studimet
Remzije BILALLI
Shkup, 20 shtator – Studentët e Maqedonisë kohën e fundit zgjedhin vendet perëndimore për të vazhduar studimet e tyre në kërkim të cilësisë më të mirë arsimore. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) u shprehën se MASH në Maqedoni ka bashkëpunim me vendet e ndryshme në sferën e arsimit me të cilët bëjnë programe të ndryshme, mes të tjerash edhe këmbimin e studentëve, shkruan gazeta KOHA. Këmbimi i studentëve bëhet në vende të ndryshme të botës, mirëpo edhe nga vendet e ndryshme vinë në Maqedoni. Në faqen e MASH ka një numër të madh të konkurseve për aplikimin e bursave në shtetet tjera të cilat kanë disa kritere në bazë të cilave zgjidhen studentët.
Vlen të theksohet se një numër i madh i programeve studentore jashtë vendit kryesojnë në shtetin e Rusisë, mirëpo numri i të interesuarve nuk është i madh. Dje dhe sot u mbajt edhe panairi për arsimin rus në Maqedoni ku ligjëruan profesorë të profileve të ndryshme nga Rusia.
Organizata, Këshilli Rinor i Ballkanit (KSHB) të cilët merren me trajnimin dhe organizmin e bursave, për Gazetën Koha deklaruan se çdo vit qeveria ruse cakton 15, 000 kuota për arsim falas të shtetasve të huaj. Bursat janë të disponueshme për të gjitha nivelet e arsimit, ndërsa studentët mund të zgjedhin në mes të diplomave bachelor, specialiteti, master dhe postdiplomike. Të gjithë aplikantët me arsim profesional të mesëm ose të mesëm të cilët kanë kaluar me sukses fazën kualifikuese mund të aplikojnë për tu regjistruar. Më të interesuar për studime janë në drejtimin e mjekisë, ekonomisë, juridik, marrëdhëniet ndërkombëtare e kështu me radhë, ndërsa për studimet e master-it më shumë aplikojnë në menaxhim, ekonomi, marrëdhënie ndërkombëtare dhe juridik.
“Ne veprojmë pothuajse në të gjitha vendet në mbarë botën. Nga aktivitetet që kemi pasur dhe takimet me të rinjtë, shkaku kryesor është mungesa e tregut të punës dhe mundësia e kufizuar për të pasur një vend pune. Shumë studente mbarojnë studimet me rezultate shume të mira, por shumica e tyre e kanë shume të vështirë të gjejnë një vend pune. Sigurisht edhe një arsye tjetër kryesore është rishikimi i mundësive për të studiuar në vende me nivel me të lartë ekonomik se Ballkani Perëndimor”, u shpreh Eriola Hoxha nga KSHB.
Ndërsa studentët të cilët kanë studiuar në Rusi thanë se është e lehtë të fitohet bursa, përveç kësaj studentët marrin edhe nga pak para gjatë muajit.
“Në fakt prisja më shumë nga Rusia por hasa në një sistem arsimor të ngjashëm me atë të vendit tonë. Problemi qëndronte në atë se projektet në të cilat punonim ishin vetëm teori dhe shumë pak praktik për dallim nga vendet perëndimore ku projektet janë më reale. Nga eksperienca ime që kam studiuar në Rusi, Holandë dhe Suedi mund të them se vendet evropiane janë shumë më të mira se ato ruse”, tha Dragana Stefanovska studente e diplomuar në Universitetin e Arkitekturës dhe Inxhinierisë në Sank-Petenburg.
Nga ana tjetër Duri Asani student i diplomuar i mjekësisë në “Kirili dhe Metodij” për Kohën deklaroi se kishte qëndruar disa muaj në Rusi për të shkëmbyer përvojën e tij me studentët nga vendet tjera.
“Ishte një përvojë e mirë për të shkëmbyer përvojën tonë me studentët nga vendet tjera, sistemi ishte pothuajse i njëjtë mirëpo teknologjia mjekësore ishte shumë më e zhvilluar. Ishim tre student nga Maqedonia të përzgjedhur nga ana e fakultetit”, tha Asani. Aktualisht më shumë se 250 mijë studentë, nga 180 vende janë regjistruar në Rusi. (koha.mk)