Shkup, 15 tetor – Në organizim të Institutit për Standardizim të Republikës së Maqedonisë (ISRM), sot me rastin e Ditës Botërore të Standardizimit u mbajt konferencë shtypi me qëllim të promovimit të rëndësisë së këtij organi të vetëm të standardizimit në vend, e cila është anëtare e plotë në organet evropiane dhe ndërkombëtare për standardizimin.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, duke uruar Ditën Botërore të Standardizimit, theksoi se Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë, në kuadër të kompetencave të tyre, çdoherë kanë shfaqur mirëkuptim të plotë për nevojën e përforcimit të Institutit të Standardizimit dhe kanë dhënë mbështetje për aktivitetet e shumta të këtij institucioni në vend, i themeluar para 15 vjetësh.
“Nga këndvështrimi ekonomik, zhvillimi dhe përdorimi i standardeve maqedonase hap tregjet, por në të njëjtën kohë kontribuon në mbrojtjen e mjedisit, sigurisë, kujdesit shëndetësor dhe qasjes në informata dhe njohuri. Më e rëndësishme është se standardet paraqesin urë midis prodhuesve dhe konsumatorëve. Ata janë mjet i pazëvendësueshëm dhe i fuqishëm për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare midis vendeve në botë. Këto standarde zvogëlojnë dhe në masë të madhe eliminojnë barrierat teknike të tregtisë së mallrave dhe shërbimeve ndërmjet partnerëve tregtarë në tregjet botërore. Instituti i Standardizimit i Republikës së Maqedonisë është i vetmi vend ku zbatohen dhe miratohen standardet nacionale të Maqedonisë ku gjithashtu miratohen edhe programet në përputhje me nevojat e të gjitha subjekteve të interesuara në vend. Ky është ndoshta roli më i rëndësishëm i Institutit të Standardizimit”, tha Bekteshi në fjalimin e tij.
Drejtori i ISRM, Xhevat Kicara sqaroi se sot në Institut ka 105 anëtarë – përfaqësues të ekonomisë, industrisë, fakulteteve, ministrive dhe ka 27 komitete teknike aktive në të cilat janë aktiv mbi 250 ekspertë. “Instituti është institucion publik i hapur për të gjithë, dhe numri i anëtarëve është vazhdimisht në rritje. Deri më tani, janë miratuar mbi 28.800 standarde të Maqedonisë, e cila flet për lidhjen e ngushtë të vendosur midis Institutit dhe palëve të interesuara”, u shpreh Kicara. Kryetarja e Kuvendit të ISRM-së, Meri Cvetkovska ka drejtuar mesazhin me rastin e ditës Botërore të standardizimit dërguar nga organizatat ndërkombëtare të standardizimit.
“Revolucioni i katërt Industrial ka filluar, por për të shfrytëzuar potencialin e të plotë për të përmirësuar shoqërinë, nevojiten standarde. Në këtë kontekst, rëndësia e standardizimit rritet me rritjen e tregut global dhe duke rritur zgjedhjen e produkteve dhe shërbimeve. Standardizimi kontribuon në cilësinë më të lartë me harxhime më të ulëta ndërsa standardet promovojnë tregtinë e barabartë dhe çmimet e drejta”, tha Cvetkovska.
Kryetarja e Këshillit të ISRM-së Jadranka Blazhenska Gilev theksoi se standardet janë bazë për zhvillimin e çdo industrie, kudo në botë, duke bërë të mundur përfitime reale dhe të matura në çdo sektor të produkteve dhe shërbimeve, ndërsa anëtari i këshillit Ilir Shabani shpjegoi rolin e Këshillit në ruajtjen e sistemit të njohur të standardizimit në Maqedoni duke krijuar vazhdimisht dhe duke adoptuar standarde që synojnë plotësimin e nevojave të ekonomisë dhe komunitetit të biznesit dhe duke implementuar këto standarde tek konsumatorët përfundimtarë.