Mauro Ikardi ka folur për gjithçka në intervistën e gjatë të dhënë për “Inter TV”. Në fillim ka folur për derbin e fituar 3-2 kundër Milanit.
“Ka qenë një ndeshje e madhe, realizimi i tre golave ka qenë një emocion i papërshkrueshëm. Më pas, më kishte mbetur akoma shija e hidhur në gojë për penalltinë e gabuar në ndeshjen e mëparshme, 2-2-shi i viti të kaluar. Reagimi i tifozëve pas fitoreve të tilla është gjëja më e bukur”, ka thënë kapiteni i Interit.
Maurito ka folur edhe për rivalitetin me Dybalan.
“Është një mik i madh, e ka nisur shumë mirë sezonin, por është një lojtar i ndryshëm nga unë. Nuk është e lehtë të gjesh një futbollist me karakteristikat e tij që shënon shumë”, shtoi më tej kapiteni i zikaltërve.
Në fund, Ikardi ka zbuluar edhe një prapaskenë argëtuese.
“Kur mësova se do të transferohesha nga Barcelona te Sampdoria e kam kërkuar në ‘Google’, sepse nuk e njihja si ekip. Disa nga shokët e ekipit te Barça janë tallur për faktin se do të luaja me Kasanon dhe Pacinin. Ka qenë një zgjedhje e bazuar edhe te stili im i lojës: te Barcelona luhej në një mënyrë tjetër, që mua nuk më përshtatej, ndërsa te Sampdoria jam ndier menjëherë mirë, edhe falë Obiang”, përfundoi Ikardi, i cili aktualisht me sukses po e bart fanellën e Interit.