Shkup, 27 tetor 2017- Në Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë sërish ka përçarje para Kongresit të ardhshëm të jashtëzakonshëm të caktuar për më 11 nëntor, kur duhet të zgjidhet kryetari i ri i LSM-së. Kryetari i AOGJSH, Pece Grujovski, i cili pati kandidaturë për kryetar të LSM-së, akuzon se në LSM po bëhen manipulime me qëllim të Kongresit të ardhshëm që vetëm u.d. kryetari Darko Dimovski të jetë kandidat për kryetar, përderisa disa nga sindikatat degë të cilat i japin mbështetje Dimovskit, thonë se gjithçka është legjitime dhe se Dimovski i përmbush kriteret për kandidat të mundshëm për kryetar. Grujovski sot në konferencë për shtyp deklaroi se u.d. kryetari Dimovski nuk lejon të ketë kandidatë të tjerë të mundshëm për kryetar në Kongresin e jashtëzakonshëm dhe se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së LSM-së janë shkelur kriteret për propozim të kandidatëve të mundshëm për kryetar. Disa nga sindikatat degë të cilat e mbështesin kandidaturën e Dimovskit sot i hodhën poshtë akuzat nga Grujovski si gënjeshtra dhe theksuan se gjithçka është legjitime rreth kandidaturës së Dimovskit. Ata pohojnë se Dimovski ka mbështetje prej 12 sindikatave degë, ndërsa Grujovski nga pesë. Në Kryesinë e LSM-së ishin parashtruar tre kandidatura për kryetar – të Dimovskit, të Grujovskit dhe të kryetarit të Sindikatës policore të Maqedonisë, Aco Antovski. Sipas Kryesisë së LSM-së, vetëm kandidati Darko Dimovski i ka përmbushur kriteret për kandidat për kryetar të LSM-së. Propozimi që Dimovski të jetë kandidat për kryetar të LSM-së do të parashtrohet në Këshillin e LSM-së i cili do të mbajë mbledhje më 3 nëntor, ndërsa më 11 nëntor në Kongresin e jashtëzakonshëm do të dihet se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i LSM-së.