Mesfushori i Liverpoolit, Adam Lallana, ka treguar se brenda ditës ha tetë herë dhe se kjo mënyrë e të ushqyerit është ndër faktet më të rëndësishme që ai nuk di të lodhet në fushën e lojës, gjë që e tregojnë edhe statistikat e tij Adam Lallana është shembulli tipik i të ushqyerit të çuditshëm për një sportist. Megjithatë, në fushën e lojës ai nuk e jep një përshtypje të tillë, përkundrazi, është ndër ata që kontribuojnë më së shumti. Anëtari i Liverpoolit ha tetë herë në ditë. “Menjëherë pas ndeshjes i ha dy pjata makarona, ndërsa kur arrij në shtëpi ha diçka nga mishi, më së shpeshti biftek dhe një tjetër pjatë me makarona. Ditën e filloj me dy toste që i ha ende pa u ngritur nga shtrati”, tregon Lallana për të ushqyerit e tij interesant, shkruan sot Gazeta “Zëri”. Në ndeshjen kundër Manchester Cityt vrapoi 12.88 kilometra, ndërsa vetëm dy ditë më vonë, në përballjen me Sunderlandin 13.22 kilometra. Për më pak se 44 orë, ai e habiti gjithë ishullin britanik. Dhe menjëherë filluan pyetjet: si është e mundur kjo, a merr ndonjë vitaminë…? Pati edhe të atillë që dyshuan më tepër dhe kërkuan test antidoping. Mirëpo, Lallana shumë shpejt doli i pafajshëm. “Unë ha tetë herë në ditë, ja pra, kjo është fshehtësia”, ka zbuluar mesfushori i “Të Kuqve”.
Për ata që nuk besojnë, ai ka treguar edhe orarin dhe recetën e ushqimit brenda një dite. “Pas ndeshjes me Manchester Cityn i kam ngrënë dy pjata me makarona dhe kjo më ka mbajtur deri sa arrita në shtëpi. Në orën 22:30 e kam shtuar edhe një pjatë me makarona, të shoqëruar edhe me biftek”, tregon Lallana, shkruan “Zëri”. Në dy ndeshjet e përmendura, ai i ka humbur 5000 kalori dhe për t’i kompensuar ato duhet konsumuar ushqim kalorik, ndërsa pijet nuk i ka shumë në qejf. “Zgjohem në orën 7:45 dhe pa u ngritur nga shtrati i ha dy toste. Në orën 10:00 ha diçka nga drithërat dhe banane, në 12 proshutë të fërguar dhe një senduiç me dy vezë, të përgatitur nga babai”, tregon 20-vjeçari Lallana për mënyrën e tij të të ushqyerit. Kjo do të thotë se vetëm deri në mesditë ai i ka kryer tri racione. Kanë mbetur edhe pesë. Pra, pjesa tjetër e ditës me siguri do të jetë edhe më e ngarkuar si në aspektin fizik, ashtu edhe për nga ushqimi. Për një aktivitet aq të ngjeshur, futbollisti ka nevojë për më shumë kalori dhe Lallana nuk i lë asgjë rastit, duke u kujdesur që t’i përmbahet sa më shumë që është e mundur orarit dhe “regjimit” për sa i përket kalorive. “Në orën 15:00 është radha për të ngrënë pulë të pjekur, për të vazhduar me diçka nga pijet, por edhe aty nuk i harroj ato që kanë vitamina. E tëra kjo më mban mjaftueshëm të ngopur për t’i zhvilluar stërvitjet pa problem, madje edhe në fund të tyre unë ndihem shumë i freskët. Edhe në pjesën e mbetur të ditës jam mjaft aktiv në këtë drejtim. Pasi t’i përfundoj stërvitjet, rreth orës 19:00, përsëri ha pulë dhe makarona, por kësaj radhe gjithsesi të shoqëruar edhe me ndonjë sallatë. Në fund, për shembull para ndeshjes me Sunderlandin, në orën 20:30 arritëm në hotel dhe aty i mora dy senduiçë të mëdhenj me mish dhe jogurt”, ka përfunduar Lallana. Me siguri nuk janë harruar edhe dy racionet e mbetura për të plotësuar numrin tetë. Pas ndeshjes ka pasur pjata me makarona dhe bifteku para se të shkojë për të fjetur”. Nga e gjithë kjo, është e qartë se Lallana më shtrenjtë e ka të ushqehet sesa të vishet.