Parlamenti i ri do të numëroj 28 juristë, të ndjekur nga 19 mjek dhe 18 ekonomistë. Në këtë përbërje do të kemi 14 doktorë shkencash dhe 12 magjistra, prej të cilëve nëntë janë profesorë universitar. Në legjislaturën e re gjithashtu do të ketë gjashtë politolog, ndërsa tre janë me shkollim të mesëm
Zenel MIFTARI
Shkup, 6 gusht – Ditën e martë është konstituar përbërja e re parlamentare, e cila doli nga zgjedhjet e 15 korrikut. Kjo ishte mbledhja e dhjetë konstitative e Parlamentit që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut. Në përbërjen e re të Parlamentit do të kemi 77 deputetët meshkuj dhe 43 femra, ndërsa te shqiptarët – nga 32 deputetë sa i fituan partitë shqiptare, vetëm shtatë prej tyre do të jenë femra. Mesatarja e moshës në përbërjen e re Parlamentare është 45 vite. Nga zgjedhjet e fundit të 15 korrikut, në kampin maqedonas koalicioni “Mundemi”, i udhëhequr nga LSDM bashkërisht me Lëvizjen BESA kanë fituar 46 deputetë, të ndjekur nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së “Ripërtëritja e Maqedonisë”, me 44 deputet dhe E Majta me dy deputetë. Ndërsa në kampin politik shqiptar, fitues ka dalur BDI e cila ka marrë 15 deputetë, e ndjekur nga koalicioni i dy partive ASH-Alternativa me 12 deputetë dhe PDSH e cila ka arritur të siguroj vetëm një deputet. Sa i përket profesioneve të deputetëve, përbërja e re parlamentare do të dominohet nga juristët, mjekët dhe ekonomistët.
Sipas të dhënave të fundit që janë publikuar, Parlamenti i ri do të numëroj 28 juristë, të ndjekur nga 19 mjek dhe 18 ekonomistë. Në këtë përbërje do të kemi 14 doktorë shkence dhe 12 magjistra, prej të cilëve nëntë janë profesorë universitar, ndërsa tre janë me shkollim të mesëm. Në legjislaturën e re gjithashtu do të ketë gjashtë politolog. Përbërja e re do të ketë edhe një historian, gazetar, kimist, filolog, muzicient, menaxhment, teknolog, shkenca bashkëkohore dhe të tjerë. Ndërkohë deputetja më e vjetër është Ilija Nikolovski 72-vjeçare, dhe në anën tjetër – deputetja më e re është Artina Qazimi 23 vjeçare, e cila ende është studente. Nga Koalicioni i LSDM-së “Mundemi”, do të jenë 11 juristë, 8 mjekë, 6 ekonomistë dhe deputet të tjerë si inxhinier, historian, veteriner dhe të tjerë. Njëashtu, edhe koalicioni i VMRO-DPMNE-së “Ripërtërirja e Maqedonisë” do të ketë 11 juristë, gjashtë mjek, pesë politolog dhe të tjerë si arkitekt, punonjës social, kimist, si dhe profesione të tjera me nga një deputet.
Përbërjen më laramane të Parlamentit do ta ketë BDI, e cila do ti ketë nga dy matematicent, dy juristë, dy mjek dhe dy ekonomistë. Në radhët e BDI-së, do të jetë edhe një ushtarak, mësues, pedagog dhe psikolog. Ndërkaq dhe për tre deputetë të tjerët ende nuk ka të dhëna zyrtare.
Koalicioni ASH-Alternativa, në përbërjen e re parlamentare do të ketë katër ekonomistë, tre inxhinierë të shkencave kompjuterike dhe jurist, stomatolog, doktor… Gjithasthu, po nga ky koalicion vjen edhe deputetja më e re Artina Qazimi. Ndërkohë, PDSH, e cila ka arritur të siguroj vetëm një ulëse në Parlament do të përfaqësohet nga kreu i kësaj partie politike Menduh Thaçi, i cili është stomatolog. Sipas një hulumtimi në fund të vitit të kaluar, ka rezultuar se juristët, ekonomistët dhe mjekët janë tre profesionet që më së shumti i kërkon politika. Njohësit e çështjeve politike në vend thonë se arsyeje se pse partitë politike zgjedhin që të kandidojnë më së shumti këta tre profesione, është sepse shpresojnë se këto kandidat për deputetë do t’i tërheqin klientët dhe pacientët e tyre të votojnë për ata dhe kështu do t’iu sjellin më shumë vota në kontot e partisë. (koha.mk)