Shkup, 18 janar – Komisioni parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në seancën e sotme solli vendim për anulimin e shpalljes për emërim të anëtarëve të Komisionit Shtetëror për ndalim të korrupsionit të shpallur më 18 tetor të vitit 2018 sipas ligjit të vjetër.
Siç theksoi kryetari i Komisionit parlamentar deputet Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE, zgjedhja e përbërjes së Komisionit antikorruptues do të bëhet sipas Ligjit të ri i cili ishte sjellur dje në seancë parlamentare.
Pritet ligji prejse të nënshkruhet nga presidenti i shtetit të shpallet në “Gazetën zyrtare”, pas së cilës kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi do të mund ta shpallë thirrjen e re për zgjedhje të anëtarëve të Komisionit antikorruptues, ndërsa paralelisht duhet sipas nenit 12 të Ligjit të ri të konfirmohen edhe afatet dhe kriteret për zbatim të procedurës.
“Procedura e re për zgjedhje të anëtarëve do të jetë më e komplikuar, sepse duhet të kemi kritere të qarta nga ana e kryetarit të Kuvendit dhe afate të qarta të cilat për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale do të jenë përafërsisht të ngushtuara. Do të duhet ky Komision i yni për zgjedhje dhe emërime të përbëjë Komision për selektim i cili do të përbëhet nga shtatë anëtarë, dy nga pushteti, dy nga opozita, dy përfaqësues të trupave për bashkëpunim mes Qeverisë me shoqata dhe fondacione dhe me sektorin qytetar dhe një për propozues të avokatit të popullit”, tha Dimovski.
Ai sqaroi se ajo procedurë do të jetë e komplikuar sepse për herë të parë parashikohen intervista publike me përfaqësuesit e ASHAM, nga Unioni interparlamentar, shoqatat e qytetarëve të cilët do të paraqiten të jenë pjesë e procesit të intervistave publike me intervistimin e kandidatëve të paraqitur në shpallje.
Ndryshe në shpalljen e anuluar ishin paraqitur 39 kandidatë për anëtar të Komisionit Antikorruptues.
Në seancën e sotme nuk ishte sjellur vendim për zgjedhje të kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit për mbikëqyrje qytetare ndaj Agjencisë operative teknike. Sipas ligjit për ndjekje të komunikimeve ky trup duhet të numërojë shtatë anëtarë, prej të cilëve tre ekspertë dhe tre përfaqësues të sektorit joqeveritar me përvojë në fushën e drejtësisë, telekomunikimeve dhe teknologjive informatike ose mbrojtjen e të drejtave bazë të njeriut, sigurinë dhe mbrojtjen.
Dimovski tha se në shpalljen e anuluar sipas vendimit të Parlamentit të 18 tetorit nga viti 2018, janë paraqitur gjithsej tetë kandidatë prej të cilëve shtatë i plotësojnë kriteret. Ai propozoi të anulohet kjo shpallje që të shpallet një tjetër e re në të cilën siç tha, mund të paraqiten më shumë kandidatë me çka mund të bëhet zgjedhje cilësore.
Deputetja, Ivana Tufekxhiq kërkoi nga LSDM së pari të bëhet zgjedhje e pjesshme e katër nga shtatë kandidatët e nevojshëm, ndërsa problemin me interesin e vogël për anëtarësim në këtë trup të rëndësishëm e vendos në dukshmërinë e vogël, përkatësisht karakteri i shpalljes.
Koordinuesit e trupit të deputetëve të BDI-së Ejup Aliti dhe Afrim Gashi nga BESA kërkuan të anulohet shpallja sepse nuk janë paraqitur kandidatë nga bashkësitë, ndërsa në trup duhet të përfaqësohet principi i përfaqësimit të drejtë.
Mes tetë kandidatëve të paraqitur në shpallje janë edhe profesorët Goran Kalajxhiev, Katarina Kërstevska Savovska dhe gjykatësja Margarita Caca Nikollovska. Për këtë pikë do të vendoset në seancën e Komisionit të hënën.