Pjesa e vjetër e Tetovës – lagjet Kolltuk, ”Dva bresta”, Pevçin dhe “Potok”, është e margjinalizuar nga autoritetet komunale lidhur me përmirësimin infrastrukturor të cilësisë së jetës, shprehen të revoltuar banorët e atjeshëm. Probleme më të mëdha paraqesin rrugët e dëmtuara dhe mbledhja e rrallë e mbeturinave komunale.
Rrugët siç janë ajo e “Malit Sharr”, “Velesit”, “Lubjanës” janë të vogla, me nga njëqind metra dhe gjenden në thuajse pjesë të përpjetës malore. Kamionë për mbeturina nuk mund të shkojnë andej, ndaj as që janë vendosur kontejnerë. Njerëzit i ruajnë mbeturinat në oborr dhe vetëm një herë në javë punëtorët e ndërmarrjes komunale vijnë dhe i marrin mbeturinat.
“Para tridhjetë viteve e mbaj mend se mblidhej nga tri herë në javë në mënyrë të njëjtë. Atëherë as që kishte kamionë të këtillë të vegjël dhe traktorë. Më pas, me kalimin e viteve, u zvogëlua në dy herë. Dekadën e fundit kjo bëhet vetëm një herë në javë. Për shkak të kësaj, pranë çdo shtylle krijohet edhe një deponi e vogël. Disa nga fqinjët nuk kanë vend në oborr, ndaj i lënë mbeturinat jashtë”, shprehet 65-vjeçarja Jovanka Gjurevska nga lagjja “Dva bresta”.
Pamja dalluese e kësaj pjese të Tetovës është kalldërma e rrugëve, por problemi është se me dekada të tëra shërbimet e komunës nuk janë përkujdesur për ripërtëritje ose rregullim. Në gjendjen më të keqe është rruga “Goce Dellçev”, e cila është një kilometër e gjatë dhe paraqet rrugën kryesore, i ndërlidhë dhe kalon përgjatë katër lagjeve. Në shumë vende nuk ka kalldërmë, ndaj vërehen shumë vrima që janë të rrezikshme për automjetet. Banorët thonë se edhe në këmbë lëvizin vështirë, duhet të kenë kujdes t’i anashkalojnë dhe kërcejnë vrimat, ndaj ndonjëherë ndodhë edhe të rrëzohen.
“Më kritike janë rreth treqind metra në brezin nga Pevçini drejt “Potokut”. Këtu tashmë 20 vite nuk e kemi kalldërmën. Atëherë është prishur kalldërma, katrorët u nxorën, e gjithë gjatësia ishte me vrima, ndaj vendosën asfalt. Rreth vitit 2004-2005 asfalti, gjithashtu, u shkatërrua për shkak të ujërave nëntokësore dhe tubave të shpuar. Vazhdimisht, edhe atëherë edhe tani, mblidhet ujë në sipërfaqe. Atëherë në vitin 2004/2005 vendosën pllaka bekatoni, të cilat gjithashtu nuk janë më. Vrima ka thjeshtë në çdo hap. Të ngasësh makinë është rrezik, me siguri do të dëmtohen gomat”, shprehet Stojani nga lagjja “Potok”.
Disa nga banorët e pjesës së vjetër të revoltuar nga situatat vetë ndërmarrin iniciativa për përmirësimin e situatës. Disa para shtëpive të tyre tentojnë t’i radhisin katrorët e kalldërmës me qëllim që të mos ketë vrima. Megjithatë, për shkak të realizimit joprofesional, ajo zgjatë shkurtër. Në lagjen “Dva bresta” katër banorë në vitin 2017 vetë e përtëritën parkun e braktisur të vogël para kishës “Shën Cirili dhe Metodi”. Në këtë vend prej qindra metrave katrorë ata bënë stola të rinj dhe rrethoja, vendosën shporta të reja për mbeturina, ndërsa është rregulluar gjelbërimi dhe janë mbjellë drunj.
Prej vitit 2013, kur filloi mandati i parë i kryetares aktuale të qytetit Teuta Arifi, vazhdimisht paralajmërohet se do të rikonstruktohet rruga më e anashkaluar “Goce Dellçev”. Edhe këtë herë kanë paralajmërim të ri në të cilin shprehen se janë paraqitur për mjete në Qeverinë.
“Rruga “Goce Dellçev” në Tetovë ka hyrë në plan për rikonstruksion dhe për këtë dedikim në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve është aplikuar me projekt për mjete nga Banka Botërore. Pas aprovimit të mjeteve për këtë projekt, me rekonstruksionin e së njëjtës nëse gjithçka rrjedhë sipas planit nga viti i ardhshëm pritet të fillojnë edhe punimet në terren”, njoftuan nga Komuna e Tetovës.
Në katër lagje në pjesën e vjetër të qytetit përgjatë rrugës “Goce Dellçev” gjenden edhe një numër i madh i institucioneve për shkak të cilave ka edhe frekuentim të madh të njerëzve dhe automjeteve. Këtu janë varrezat ortodokse, kishat “Shën Dimitri” dhe “Shën Qirili dhe Metodi”, selia e Dioqezës së Tetovës, Shtëpia përkujtimore e Partisë Komuniste, shkolla fillore “Andrea Saveski-Qiqish”, si dhe njësitë rajonale të Drejtorisë për udhëheqjen e librave të amzës. Karakteristikë për këtë pjesë të Tetovës kanë qenë shtëpitë me arkitekturë autentike të qytetit me çardaqe, të cilat gjithashtu janë në numër gjithnjë e më të vogël për shkak të rekonstruksioneve ose ndërtimit të objekteve të reja.(koha.mk)