Nga: Selim IBRAIMI
Gjykata Speciale në Kosovë ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe liderit të PDK-së, KadriVeseli, disa ditë para fillimit të bisedimeve serbo-kosovare në Uashington me ndërmjetësimin amerikan, që do të pasohet nga dialogu politik, siç thuhet, në Bruksel për t’i balancuar efektet e përçarjes euro-amerikane që kanë ekzistuar deri më tani rreth procesit të dialogut. Presidenti Thaçi e kishte njoftuar ndërmjetësin Richard Grenell se nuk do të marrë pjesë në takimin në Uashington më 27 qershor.
“Presidenti i Kosovës sapo na ka informuar se ai ka anuluar udhëtimin e tij në Uashington, D.C. pas njoftimit të bërë nga Zyra e Prokurorëve Specialë. Unë e respektoj vendimin e tij për të mos marrë pjesë në bisedime derisa të zgjidhen çështjet ligjore të atyre deklaratave”, njoftoi Grenell në Twitter. As kryeministri Hoti nuk do të udhëtojë drejt SHBA-së. Ai, po ashtu, e njoftoi diplomatin Grenell dhe i ka vazhduar takimet në Bruksel.
Këto janë shenja se takimet në Uashington në të ardhmen nuk do të lidhen vetëm me çështjet ekonomike, por do të jenë drejtimet politike të marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që do të menaxhohet më tej për efekte publike nga Bashkimi Europian.
Gjithashtu, kjo mund të jetë një ndërrim loje për procesin e bisedimeve pasi ka shumë prapavija politike pas mospjesëmarrjes së Presidentit Thaçi dhe delegacionit në bisedimet serbo-kosovare. Aktakuza e Zyrës së Prokurorëve Ndërkombëtarë mund të ketë dy efekte: e para, mund t’i japë procesit një vijë tjetër, duke i vazhduar negociatat në nivele më të ulëta, që mund të rezultojnë me një plan që është i favorshëm për Kosovën dhe, e dyta, do ta pastrojë figurën e Presidentit Thaçi para nënshkrimit zyrtar të marrëveshjes me çka presidenti fiton një autoritet të qëndrueshëm ndërkombëtar si mbështetës i marrëveshjes.
Pavarësisht se takimi në SHBA është shtyrë, në parim nuk ka ndonjë garanci se delegacioni kosovar në Uashington nuk do të ndeshet me temën e kufijve, pra të sigurisë. Vetë Presidenti Thaçi deklaroi se do të diskutohen të gjitha çështjet, duke theksuar edhe ato të sigurisë. Nuk është lehtë të largohesh nga Shtëpia e Bardhë vetëm me marrëveshje për ekonominë ose të një ”zone speciale” ekonomike në Ballkan të tipit kinez.
Takimet në Uashington do të jetë të nxehta dhe, si paraprirëse të asaj që do të implementohet në terren në mes dy shteteve dhe nën mbikëqyrjen formale të Bashkimit Europian.
Një metodë të ngjashme Uashingtoni zyrtar e promovoi gjatë Marrëveshjes së Prespës në mes Shkupit dhe Athinës, duke qenë lojtarë pas skene në rrumbullakimin qendror të marrëveshjes dhe firmosjen e saj nga aktorët vendorë nën praninë e zyrtarëve të Europës.
Para se të kalojmë në mundësinë e një marrëveshjeje dhe zbatimit praktik të saj, do të nënvizoja se pas Luftës së Parë Botërore jo më pak se tetë shtete të reja u shfaqën në hartën politike të Europës dhe më gjerë, si Finlanda, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, ish Çekosllovakia, Austria, Hungaria, tri perandori u shndërruan në republika, si Austria, Gjermania, ish Bashkimi Sovjetik, ndërsa dy vende u rritën në madhësi të konsiderueshme territoriale, si Rumania dhe ish Jugosllavia. Po ashtu Italia mori disa ishuj në Egje dhe Bullgaria e humbi qasjen në Detin Egje, Greqia mori po ashtu disa ishuj dhe një territor nga Bullgaria, Maqedonia u bë pjesë e ish Jugosllavisë, ndërsa Shqipëria e fitoi pavarësinë e saj.
Pra, siç vërejmë, gjithçka është e mundur gjatë negociatave dhe hartat politike të shteteve gjithnjë kanë ndryshuar pasi ashtu është natyra e qenies njerëzore dhe konsideratës se politika është pjesë e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndërkombëtare.
Edhe pse takimi në Uashington është anuluar për një kohë të pacaktuar, marrëveshje do të ketë, por nuk dihet se kur do të përfundojë procesi i gjykimit të rasteve të Gjykatës Speciale. Në raste të caktuara shpeshherë fati është përcaktues i ngjarjeve politike dhe marrëveshjeve. Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë vakum deri në takimin e ardhshëm për të dalë me një zë dhe me një propozim që do ta fuqizonte sovranitetin e shtetit. Opsioni i ndarjes, nëse do të bëhet pjesë e marrëveshjes përfundimtare, duhet të përfshijë jo vetëm kërkesat serbe, por edhe ato të Kosovës. Në proces afatgjatë Serbia po vepron dhe do të vazhdojë të ndikojë mbi politikën kosovare, pavarësisht se a do të kemi marrëveshje këtë vit. Beogradin e ka ndihmuar gjithashtu raporti i ri ruso-amerikan dhe këtë fakt Prishtina duhet ta njohë dhe të punojë shumë që të arrijë një atmosferë në favor të Kosovës para se pikat e vendimeve të Uashingtonit të bëhen realitet.