Të gjitha shtetet në Evropë po ndërmarrin masa për të ndihmuar qytetarët dhe biznesin që më lehtë të tejkalojnë pasojat financiare të krizës. Shtetet e BE-së, në javën e kaluar kanë theksuar se bëhet fjalë për masa fillestare që më vonë do të plotësohen sipas nevojës.
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 1 prill – Mbyllje biznesesh, largime nga puna, ulje qarkullimi dhe fitimi, tkurrje dhe jo rritje e ekonomisë, ulje e të ardhurave të shtetit nga tatimet. Janë këto një pjesë e problemeve ekonomike që po sjell kriza shëndetësore e korona virusit. Andaj, të gjitha shtetet në Evropë dhe botë po ndërmarrin masa për të ndihmuar qytetarët dhe biznesin që më lehtë të tejkalojnë pasojat financiare të krizës. Të gjitha shtetet në BE, në javën e kaluar kanë theksuar se bëhet fjalë për masa fillestare që më vonë do të plotësohen sipas nevojës. Korniza e përkohshme e Komisionit Evropian parashikon pesë masa që mund të ofrojnë shtetet anëtare duke filluar nga përkrahja selektive për lehtësimet tatimore dhe fondet e ndryshme, garancitë shtetërore për borxhet që kompanitë kanë marrë nga bankat, huazimet publike të subvencionuara për shoqëritë tregtare. Parashikohen edhe masa mbrojtëse për bankat që drejtojnë ndihmën shtetërore ndaj ekonomisë reale, si dhe sigurim afatshkurtër për kreditë eksportuese.
SLLOVENIA PARASHIKON NJË PAKO MASASH TË VLEFSHME TRE MILIARDË EURO
Ndër të tjerësh, do të subvencionohen pagat në dy muajt e ardhshëm të punëtorëve që janë në pushim në vend të punëdhënësve , ndërsa për ta do të paguhen edhe kontributet dhe pushimet mjekësore. Të punësuarit në sektorët kryesor në kohë të epidemisë,si shëndetësisë , organet e rendit dhe të ngjashme do të fitojnë shtesë në pagë prej 10 deri 200 për qind në varësi prej pagës bazë. Njëherazi punëtorët që janë të pamundësuar të shkojnë në punë dhe ato që kanë mbetur pa punë do të kenë të njëjtat të drejta me punëtorët që kanë mbetur pa punë dhe pranojnë kompensime nga shteti. Pensionistët me pensione më të ulëta do të fitojnë shtesë përgjatë kohës së krizës. Firmat e vogla me disa punëtorë dhe të vetë punësuarit do të kenë kompensim prej 70 për qind të pagës minimale që në Slloveni ka vlerën prej 700 euro, ndërsa kontributet do ti paguajë shteti .Do të ngrihet pagesa e tatimit në të ardhura, ndërsa shteti në rast nevoje do të blejë borxhet e firmave ndaj bankave. Përderisa po zgjat kriza , është propozuar edhe ulje prej 30 për qind e pagave të të gjithë funksionarëve , përfshi anëtarët e parlamentit, qeverisë, pushtetit gjyqësor dhe këshillat drejtues të ndërmarrjeve publike.
GJERMANIA, PLANIFIKON 156 MILIARDË EURO
Përkrah masave të ndryshme, do të krijohet një fond “600 miliardë euro për stabilizimin e ekonomisë” me garanci kredie për 400 miliardë euro dhe burime të reja për fondin e kredisë për rindërtim. Gjermania, të gjithë kompanive që do të paguajnë pagën e plotë për punëtorët që rrinë në shtëpi, shteti do të mbulojë 60 për qind të pagës neto, ndërsa kompanitë do të duhet të paguajnë pjesën e mbetur .Punëtorët që nuk do të punojnë dhe as do të fitojnë pagë , shteti do tu paguajë 60 për qind të pagës neto. Gjithashtu kompanitë që punësojnë deri pesë punëtorë do të fitojnë ndihmë të njëfishtë prej 9000 euro në tre muajt e ardhshëm, ndërsa ato që kanë deri 15 punëtorë do të fitojnë 15 mijë euro. Nuk do të mund të largohen as qiraxhitë nga banesat. Gjithashtu spitalet do të ndihmohen me tre miliardë euro për blerjen e pajisjeve të nevojshme si dhe punësimin e stafit të ri.
FRANCË, 45 MILIARDË EURO ANTI-KRIZË
Qeveria franceze do të vendosë një paketë masash prej 45 miliardë eurosh, plus 300 miliardë euro garanci për bizneset e prekura nga koronavirusi. Edhe shtetet e tjera po ndërmarrin masa të ngjashme të vlefshme me dhjetëra miliarda euro. Franca ndër të tjerash do të mundësojë anulimin e pagesave të kontributeve dhe tatimeve për bizneset , kredi me garanci të shtetit, ndërsa kompanive të vogla dhe të mesme ju mundësohet të mos paguajnë qiratë, energjinë elektrike dhe shërbimet komunale. Kompanitë në vështirësi mund të shkurtojnë orarin e punës dhe të vazhdojnë të paguajnë pagën e plotë që do ta subvencionojë shteti.
ITALIA, 25 MILIARDË PËR “CURA ITALIA”
Italia ishte ndër të parat që ndërhyri drejtpërdrejt në mbështetje të ekonomisë së saj. Qeveria ka vendosur me dekretin “Cura Italia” një ndërhyrje prej 25 miliardë eurosh (rreth 1.5 për qind e PBB-së) e cila përfshin, ndër të tjera, burime të reja për sistemin shëndetësor, fonde për pushimet nga puna, zgjatjen e lejes prindërore dhe një bonus për të vetë punësuarit, punëtorët sezonal dhe kategoritë e tjera. Në frontin e biznesit, e njëjta paketë siguron likuiditet dhe kredi më të madhe për bizneset për 350 miliardë euro. Shteti Italian ka premtuar se askush nuk do të mbetet vetëm, dhe ka filluar shpërndarjen e ndihmës prej më shumë miliarda euro për sistemin shëndetësor dhe pagesën e njëfishtë për të vetë punësuarit prej 500 euro. Do të ndihmohen edhe bizneset që nuk lëshojnë punëtorët nga puna, ndërsa pritet edhe garanci për kreditë e firmave të goditura nga kriza si dhe moratorium për pagesën e kredive.
BRITANIA E MADHE, GARANCI PA KUFI PËR BORXHET E BIZNESIT
Në Britaninë e madhe shteti do të paguajë 80 për qind të pagës për të gjithë punëtorët që firmat nuk i lëshojnë nga puna, edhe pse nuk punojnë, ndërsa janë siguruar edhe mjete për njerëzit që mbesin pa punë. Bizneseve u është ofruar pako e pakufizuar e garancive për borxhet si dhe e huave të reja. (koha.mk)