Perandoria që bota e harroi

Nga Xhozef FLAHERTI

I sunduar nga një grup marramendës mbretërish dhe perandorish përgjatë shekujve – nga bizantinët tek osmanët – qyteti i Anit dikur strehonte mijëra njerëz, duke u bërë një qendër e rëndësishme kulturore dhe fuqi rajonale, nën dinastinë mesjetare armene Bagratid. Sot, ai është një qytet i frikshëm dhe braktisur fantazmash, që qëndron i vetëm mbi një pllajë në malësitë e largëta të verilindjes së Turqisë, 45 km larg nga qyteti kufitar turk i Karsit. Teksa mund të ecni  në mesin e rrënojave të shumta, të lëna të degradojnë për më shumë se 90 vjet, i vetmi zë ulëritës është era që kalon përmes një lugine, e cila shënon kufirin midis Turqisë dhe Armenisë.

NJË NUMËR SHUMË I MADH SUNDIMTARËSH

Vizitorët që kalojnë përmes mureve të qytetit Ani, përshëndeten nga një pamje panoramike e rrënojave që shtrihen në 3 shekuj dhe 5 perandori – përfshirë Bagratidët armenë, bizantinët, turqit selxhukë, gjeorgjianët dhe osmanët. Pllaja e Anit iu dha Rusisë, pasi Perandoria Osmane u mund në Luftën Ruso-Turke të viteve 1877-1878. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, osmanët luftuan për ta marrë sërish verilindjen e Anadollit, dhe ndonëse rifituan Anin dhe zonën përreth, rajoni iu dha Republikës së sapoformuar të Armenisë. Siti arkeologjik ndërroi duar për herë të fundit, pasi republika e sapolindur turke e pushtoi gjatë ofensivës lindore të vitit 1920, në Luftën Turke për Pavarësi.

NJË TERRITOR SHUMË I KONTESTUAR

Rrënojat e një ure të lashtë mbi lumin Akhurian, i cili gjarpëron në pjesën e poshtme të luginës për të krijuar një kufi natyror, janë emblematike duke pasur parasysh gjendjen e rënduar të marrëdhënieve turko-armene. Të dyja vendet janë konfliktuar për një kohë të gjatë mbi vrasjet masive të armenëve, të kryera në kuadër të Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe Turqia mbylli zyrtarisht kufirin e saj tokësor me Armeninë në vitin 1993, në kundërpërgjigje të një konflikti territorial ndërmjet Armenisë dhe aleatit të Turqisë, Azerbajxhanit.

NJË OFERTË PËR TË SHPËTUAR RRËNOJAT

Edhe pse fokusi në tensionin turko-armen shkakton shumë diskutime mbi Anin, ekziston një përpjekje e vazhdueshme nga arkeologët dhe aktivistët për të shpëtuar rrënojat, të cilat janë të braktisur në favor të vendeve më të arritshme dhe më pak të kontestuara historikisht nga antikiteti klasik. Historianët kanë debatuar gjatë për rëndësinë e Anit si një nyjë lidhëse mesjetare e harruar, dhe për pasojë ai gjendet tashmë në listën paraprake për njohjen si një monument i Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s. Me pak fat dhe një punë të kujdesshme restauruese, e cila ka filluar në vitin 2011, ata mund të jenë në gjendje të parandalojnë degradimin e mëtejshëm nga koha.

QYTETI I 1001 KISHAVE

Në kulmin e tij gjatë shekullit XI-të, studiuesit vlerësojnë se popullsia e Anit arriti në më shumë se 100.000 njerëz. Jeta artistike, e bazuara tek gjetjet arkeologjike në këtë qytet, flet për një qendër aktive mesjetare të mbushur me shtëpi të panumërta, punishte artizanale dhe kisha mbresëlënëse, të shpërndara në të gjithë hapësirën e qytetit. I njohur si “Qyteti i 1001 kishave” sundimtarët armenë të Anit dhe tregtarët e qytetit, financuan ndërtimin e një numri të jashtëzakonshëm vendesh adhurimi, të gjitha të dizajnuara nga mendjet më të mëdha arkitektonike dhe artistike të kohës. Edhe pse pseudonimi ishte hiperbolë, arkeologët kanë zbuluar prova për të paktën 40 kisha, kupola dhe mauzoleume deri më sot.

NJË KATEDRALE IMPONUESE

Një fortesë me kulla ngjyrë ndryshku, Katedralja e Anit spikat mbi qytetin tashmë të braktisur. Edhe pse kubeja e saj u rrëzua nga një tërmet në vitin 1319 – dhe, shekuj më vonë, një tjetër tërmet shkatërroi cepin e saj veriperëndimore – ajo është ende e imponuese. Katedralja përfundoi në vitin 1001 nën sundimin e mbretit armen Gagik I, kur pasuria dhe popullsia e Anit ishte në kulmin e tij. Trdat, arkitekti i njohur armen që e projektoi, u shërbeu edhe bizantinëve duke i ndihmuar ata të riparojnë kubenë e Shën Sofisë.

GJYSMA E NJË KISHE

Vetëm gjysma e Kishës së Shëlbuesit ka mbetur – një monument si i rralë si për nivelet artistike të dinastisë armene Bagratid dhe pashmangshmërinë e kohës. E mbajtur aktualisht në këmbë nga një skelë e madhe, kisha ka qenë një godinë mbresëlënëse arkitektonike në kohën kur u ndërtua. Ajo paraqiste 19 harqe dhe një kube, të gjitha të bëra me bazaltin e kuqërremtë vullkanik të zonës. Kisha kishte ndërkohë edhe një fragment të Kryqit të Vërtetë, mbi të cilin u kryqëzua Jezusi. Mbrojtësi i kishës, Princui Ablgharib Pahlavid, thuhet se e mori atë relike gjatë një vizite në oborrin perandorak Bizantin në Kostandinopojë.

NJË KISHË ENKAS PËR NJË PRINC

E ndërtuar diku në fund të shekullit X-të, Kisha e Shën Gregorit të Abughamrentsisit, një kishëz me pamje stoike 12 cepëshe, që ka një kube të gdhendur me arkadat e blinduara:harqe që janë vetëm për zbukurim, në vend se të çojnë në një portal. Në fillim të viteve 1900, një mauzole që u zbulua i varrosur nën anën veriore të kishës, dhe mendohet se ka gjasa të përmbajë eshtrat e mbrojtësit të kishës, princit Grigor Pahlavuni të armenëve Bagratidë dhe të afërmve të tij. Fatkeqësisht, ashtu si shumë nga vendet e tjera në Ani, varri i princit u plaçkit në vitet 1990.

MBETJET E NJË QYTETI NËNTOKËSOR

Përballë Kishës së Shën Grigorit të Abughamrentsarit, një seri shpellash janë gërmuar nën shkëmb, për të cilat disa historianë spekulojnë mund të datojnë që në kohën e qytetit Ani. Shpellat janë përshkruar në ndonjë rast si “qyteti nëntokësor” i Anit, dhe ekzistojnë shenja për përdorimin e tyre si varre dhe kisha. Në fillim të shekullit XX-të, disa nga këto shpella përdoreshin ende si banesa.

NJË KISHË QË SHËRBENTE SI VROJTORE

Kisha e Shën Gregorit të Tigran Honentsit, qëndron vigjilente mbi luginën që ndan Turqinë dhe Armeninë. E porositur nga një tregtar i pasur dhe e ndërtuar në 1215, ajo u ngrit në kohën  kur Mbretëria e Gjeorgjisë që e kishte nën kontroll ia dha Anit si simbol të trashëgimisë së linjës së gjakut të sundimtarëve armenë, Zakarianëve. Gjatë dimrit, kisha e vetmuar ofron një pamje të mrekullueshme nga distanca të stepës së pafundme armene të mbuluar me dëborë.

AFRESKET MBULOJNË MURET

Kisha e Shën Gregorit e Tigran Honensit, është një nga ndërtesat më të ruajtura të Anit, e stolisur me reliket e pikturave që përshkruajnë skena nga jeta e Krishtit dhe Shën Gregorit, Illuminuesit. Ciklet e hollësishme të afreskeve, nuk shfaqen zakonisht në artin armen të kohës, duke i nxitur studiuesit të besojnë se artistët ishin më shumë gjasa gjeorgjianë.

EKZISTON ENDE NJË MINARE ISLAMIKE

Perandoria Selxhuke – një shtet turk në Anadoll, që dëboi bizantinët dhe përfundimisht i hapi rrugën Perandorisë Osmane – kontrollonte zonën më të madhe të asaj që është sot verilindja e Turqisë dhe Armenisë, duke filluar nga mesi i viteve 1000. Megjithatë, në vitin 1072, Selxhukët i dhanë Anit kontrollin e një dinastie islamike me origjinë kurde, Shadadidët. Nga ana tjetër, këta të fundit lanë gjurmë në Ani me ndërtesa si xhamia e Manushihrit, e cila shtrihet buzë një shkëmbi. Minarja e saj është ende në këmbë, qëkur godina u ndërtua në fund të viteve 1000; pjesa tjetër e xhamisë ka të ngjarë të jetë një shtesë e bërë në shekujt XII ose XIII.

ORIGJINA NXIT DEBAT

Qëllimi origjinal i xhamisë së Manushihrit, debatohet si nga turqit ashtu edhe armenët. Disa pretendojnë se ndërtesa dikur ka shërbyer si një pallat për dinastinë armenian Bagratid, dhe vetëm më vonë ishte kthyer në një xhami. Të tjerë argumentojnë se struktura u ndërtua më së pari si një xhami, e para xhami turke në Anadoll. Gjatë viteve 1906-1918, xhamia shërbeu si një muze për zbulimet nga gërmimet në qytetin Ani nga arkeologu rus Nikolas Mar. Pavarësisht origjinës së ndërtesës, katër dritaret elegante të xhamisë, shfaqin pamje spektakolare të lumit dhe anën tjetër të luginës.

MURET DIKUR TË JASHTËZAKONSHME TË QYTETIT

Muret e qytetit Ani mund të duket sikur janë gatim për t’u shembur, por kur ato u ndërtuan në shekullin e X-të, përbënin një mbrojtje të shkëlqyer. Familja Bagratid e mbretërve i ndërtoi ato në mënyrë që të fuqizonte kryeqytetin e tyre të ri, dhe përgjatë shekujve, muret i mbrojtën banorët e qytetit nga rrethimet e ushtrive të ndryshme. Këto mure, së bashku me banorët e Anit, dëshmuan konfliktet e përgjakshme ndërmjet Bagratidëve dhe bizantinëve, dhe mes bizantinëve dhe selxhukëve. Pavarësisht nga historia Ani si një fushëbeteje, rrënojat paraqesin gjithashtu shumë periudha historike, ku qyteti përjetoi një shkëmbim të shquar të kulturave, feve dhe motiveve artistike. (BBCTravel)