Tokio, 23 tetor – Përtej fjalimeve, zakoneve dhe ritualeve të lashta nga ceremonia madhështore e fronëzimit të perandorit të ri të Japonisë, Naruhito ajo që binte në sy ishte koleksioni i gjerë dhe i pasur i objekteve të prezantuara nga zyrtarët e pallatit.
Por përtej tyre, i fshehur në dy kuti, të mbështjella me rrobë, janë dy objekte aq të shenjta për perandorinë, sa nuk janë shfaqur kurrë në publik, dhe madje as vetë perandori nuk mundet t’i ketë parë me sy.
Kutitë u vendosen pranë perandorit ndërsa u ngjit në fronin e krizantemës këtë të martë. Ato besohet se kanë brenda një shpatë dhe një xhevahir të lashtë, që sipas legjendës datojnë nga stërgjyshi mitik i perandorit të parë të Japonisë, Jimmu, i cili sundoi gati 2.700 vjet më parë. Së bashku me një pasqyrë tetëkëndore (që nuk ishte pjesë e ceremonisë së të martës), këto objekte përbëjnë thesarin mbretëror të Japonisë, ose Tre Thesaret e Shenjta.
Në mungesë të një kurore, këto sende shërbejnë si mishërim simbolik i rolit të perandorit. Megjithatë, gjendja dhe pamja e tyre mbeten të mbuluara nga misteri, shpjegoi Mickey Adolphson, një profesor i studimeve japoneze në Universitetin e Kembrixhit.