Shkup, 21 nëntor – Në projekt-buxhetin për vitin 2019 për sektorin e bujqësisë janë projektuar 10,5 miliardë denarë të cilët sipas ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Ljupço Nikolovski, duhet të kontribuojnë në zhvillimin e bujqësisë moderne dhe konkurrente.
Mbështetja e përgjithshme e planifikuar financiare për bujqësi është mbi 8,5 miliardë denarë nga të cilët mbi 6,6 miliardë denarë janë siguruar për subvencione, ndërsa rritje të mjeteve ka në Programin për zhvillim rural ku për vitin 2019 janë paraparë 1,7 miliardë denarë edhe në ko-financimin për programin IPARD ku janë projektuar 151 milion denarë.
Në lidhje me “naftën e gjelbër” për të cilën në projekt-buxhetin janë paraparë mjete për mbulimin e 30 për qind nga shpenzimet për blerjen e derivateve për mekanizmin bujqësor, ministri Nikolovski tha se procedurat janë në fund dhe se për momentin mbahen mbledhje me bankat.
Ministri paralajmëroi se të premten do të del edhe thirrja e dytë për shitjen e tokës bujqësore nën plantacionet. Thirrja e parë për shitjen e tokës bujqësore nën plantacione u shpall këtë vit ku kishte 19 aplikime.
“Me këto dy thirrje deri në fund të vitit do t’i përfshijmë të gjithë në pjesën e tokës bujqësore nën plantacionet që ata për herë të parë do të mund të blejnë tokën”, tha Nikolovski.
Vitin e ardhshëm, siç theksoi Nikolovski, për fermat e vogla bujqësore deri në një hektar është paraparë të ketë shumë fikse të subvencioneve.