Shkup, 3 dhjetor – Konsumimi i antibiotikëve me vetë iniciativë për trajtim të koronavirusit mund të sjellë pasoja të padëshirueshme, konsideron profesor dr. Dejan Dokiq. Ai në emisionin “Klik Plus” të TV21 tha se çdo terapi duhet të merret me rekomandim të një mjeku dhe sipas analizave të bëra për secilin pacient.
“Antibiotikët do të jepen vetëm atje ku ka indicie për infeksion bakteriale. Bëhet fjalë për virus. Të gjithë e dinë, edhe mjekët amë, edhe fëmijët e vegjël se për virus nuk përshkruhet antibiotik. Nëse keni simptoma të virusit dhe nuk keni shenja biokimike, klinike, laboratorike ose në rentgen se keni infeksion bakteriale nuk ka nevojë të merrni antibiotik, bile edhe nëse keni temperaturë të rritur”, theksoi Dejan Dokiq.
Drejtoresha e Klinikës Infektive, Milena Stevanoviq, theksoi se mjeku është ai i cili duhet ta përcaktojë terapinë nëse është e nevojshme.
“Faza parandaluese absolutisht nuk është e arsyeshme. Edhe nëse jepet, atëherë jepet në raste të jashtëzakonshme ku ka sëmundje të tjera shoqëruese. Marrja e antibiotikëve me vetë iniciativë në të vërtetë nuk justifikohet askund. Por, në çdo rast mund të bëhen toksicitete serioze dhe të jepet antibiotik vetëm kur më së shumti keni nevojë”, u shpreh Milena Stevanovqi – Drejtoreshë e Klinikës Infektive.
Sipas informacioneve jozyrtare, në nëntor janë lëshuar rreth 60.000 paketa të antibiotikëve “Sumamed” dhe “Pancef” në barrë të Fondit. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, për momentin klinikat nuk kanë nevojë për oksigjen, edhe pse, siç tha, në mënyrë intensive po punohet në vendosjen e rezervuarit i cili duhet të instalohet pranë objektit të vjetër të “Sistinës”.
“Ne tashmë kemi instaluar oksigjen qendror në shumë vende në Qendrën Klinike, atje ku nuk ka bombola oksigjeni. Atje ku nuk ka bombola oksigjeni përdoren të ashtuquajturit koncentrues oksigjeni, respektivisht aparate që funksionojnë me energji elektrike. Tani, në pjesën e spitaleve private instalohet, respektivisht përgatitet vendosja e rezervuarit për oksigjen”, deklaroi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.
Ai theksoi se edhe juristët, edhe shërbimet teknike punojnë për të siguruar oksigjen, duke shtuar se në periudhën në vijim infrastruktura do të kompletohet tërësisht.