Kjo masë nuk merr parasysh borxhet e rrymës ndaj EVN-së, ngrohjes në Shkup, si dhe ndaj kompanive të tjera private që ofrojnë shërbime publike. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se masa do të vlejë për borxhet e ujit, shërbimeve komunale, apo tatimeve të ndryshme komunale si tatimi në pronë, por jo edhe për borxhet për energjinë elektrike, ngrohjen qendrore apo për telefoninë dhe internetin
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 shkurt – Falja e paralajmëruara e kamatave të borxheve për qytetarët do të vlejë vetëm për kompanitë në pronësi të shtetit, por jo edhe për ato private. Thënë ndryshe, pas miratimit të ndryshimeve nevojshme ligjore në Parlament, borxhlinjtë do të kenë mundësinë të paguajnë borxhin kryesor në 12 këste dhe t’u falen kamatat për borxhet ndaj kompanive në pronësi të shtetit. Kjo masë nuk merr parasysh borxhet e rrymës ndaj EVN-së, ngrohjes në Shkup, si dhe ndaj kompanive të tjera private që ofrojnë shërbime publike. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se masa do të vlejë për borxhet e ujit, shërbimeve komunale, apo tatimeve të ndryshme komunale si tatimi në pronë, por jo edhe për borxhet për energjinë elektrike, ngrohjen qendrore apo për telefoninë dhe internetin, shkruan gazeta KOHA.
Qytetarët që kanë borxhin kryesor deri në muajin nëntor më të madh se tre muaj në bazë të shërbimeve komunale dhe të tjera publike, tatimeve dhe tatimit të pronës, do të mund të riprogramojnë pagesën për një periudhë prej 12 muajsh. Realizimi i masës për riprogramim do të bëhet përmes Shpalljes publike në afat prej 5 muaj, në kuadër të së cilës qytetarët do të kërkojnë riprogramim të borxheve. Nga ekzekutivi presin që edhe kompanitë private të tregojnë mirëkuptim për këtë masë qeveritare. “Dua ta shfrytëzoj mundësinë që publikisht të lus edhe kompanitë private të kyçen në këtë masë, sepse janë të vetëdijshëm se një numër i madh i qytetarëve – vështirë i paguajnë borxhet e mbetura. Nuk dua të dekurajoj qytetarët që paguajnë rregullisht, megjithatë ky është një akt solidariteti, borxhi kryesor mbetet të paguhet, normat e interesit do të fshihen. Ne të gjithë duhet të paguajmë detyrimet publike, ndërsa për më të varfrit – shteti plotëson interesin me fshirjen e normave të interesit”, tha kryeministri Zaev.
Në ndërkohë, kompanitë private tregohen të përmbajtura ndaj apelit të kryeministrit Zoran Zaev, që edhe ato të inkuadrohen në shlyerjen e kamatave dhe pagesën në këste të borxheve të qytetarëve. Nga EVN thonë se në momentin kur do të ketë edhe vendim zyrtar, do ta shqyrtojnë atë dhe do të vendosin më tutje. Nga atje shtojnë se edhe në të kaluarën kanë pasur fushata dhe masa të ndryshme për të lehtësuar pagesën e borxheve të qytetarëve, mirëpo shtojnë se ato nuk janë treguar tërësisht funksionale në aspektin e zgjidhjes sistemore të problemit me borxhet e vjetra. Edhe nga kompania e ngrohjes qendrore në Shkup – “Beg”, thonë se do të presin zyrtarizimin e vendimit qeveritar dhe pas analizave – do të vendosin për hapat e mëtejshëm në raport me vendimin qeveritar. Edhe kompanitë e telekomunikacionit shprehen se deri tani disa herë kanë mundësuar lehtësimin e pagesës së borxheve të mbetura, mirëpo shtojnë se kohën e fundit – nuk kanë probleme të kësaj natyre për shkak se askush nuk dëshiron të mbesë pa internet apo telefon pas shkyçjes së shfrytëzuesve të këtyre shërbimeve.
Në ndërkohë, përfaqësuesit e sindikatave thonë se nevojitet që edhe kompanitë private të përfshihen në fshirjen e kamatave. “Falja e kamatave për borxhet do të jetë në favor të qytetarëve, mirëpo ajo duhet të vlejë edhe për kompanitë private dhe jo vetëm për ato shtetërore. Njëherësh duhet të ndryshojë edhe Ligji për marrëdhënie obligative në raport me kamatat dhe të mos lejohet që ato të fryjnë borxhet tej mase. Kjo do të mundësojë që përmbaruesit të mos i ruajnë borxhet nëpër sirtarë dhe nuk do të mund të rriten kamatat”, thotë Marjan Risteski nga Konfederata e Organizatave Sindikale. Sipas tij, po punohet edhe për fshirjen e borxheve dhe kamatave të vjetra të rrymës, para privatizimit të kompanisë elektroenergjetike vendore, për shkak se qytetarëve ju arrijnë fatura të pa paguara bile edhe nga viti 1995. Nga shoqata “Stop grabitjes” thonë se me vite luftojnë për fshirjen e borxheve të vjetra, ndërsa shtojnë se ky problem nuk do të zgjidhë problemin në tërësi të borxheve të mbetura.
“Kjo masë për faljen e kamatave nuk do të zgjidh problemin e qytetarëve që janë të zhytur në borxhe të vjetra edhe 20 vite për energji elektrike dhe borxheve të ngjashme shumë të vjetra. Nevojitet të respektohet masa e vjetërsisë së tërësishme të borxheve prej para dhjetë vitesh”, thotë Ana Gligorova nga kjo organizatë. Nga ana tjetër, falja e kamatave të borxheve do të vlejë për borxhet deri më muajin nëntor të vitit 2020 dhe do të implementohet pesë muaj. Qytetarët do të mund të fitojnë shlyerjen e kamatave në rast se nënshkruajnë marrëveshje me ndërmarrjen që ju kanë borxh se borxhin kryesor , do paguajnë në 12 këste. Në rast se nuk e paguajnë borxhin, atëherë kamata ndëshkuese do të kthehet që në muajin e dytë.
Një praktikë të tillë të faljes apo shlyerjes së kamatave apo normave të interesit e kanë realizuar edhe qeveritë e mëparshme. Vitin e kaluar, një nga masat anti krizë përgjatë pandemisë ishte anulimi për gjashtë muaj i pagesës së kësteve së kredive ndaj bankave, ndërsa për disa muaj u ngrinë edhe aktivitetet e përmbaruesve. Para tre vitesh, qytetarët që paguanin borxhin kryesor për 12 muaj, si dhe harxhimet e ndryshme për avokat, përmbarues dhe të ngjashme – kishin mundësi që t’u falen kamatat ndëshkuese nga ana e kompanive publike. (koha.mk)