Shkup, 6 dhjetor – Kredencializmi, respektivisht rendja drejt diplomave dhe titujve shkencorë ka mbërthyer prej vitesh Maqedoninë. Nga viti në vit, tek ne rritet, edhe atë me ritëm të shpejtë shkalla e personave që marrin thirrjet e doktoraturës. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës tregojnë se në vitin 2015 në Maqedoni kanë doktoruar 246 persona ose 100 më shumë se para tre viteve. Po sipas të dhënave të ESHT-së, në vitin 2012 numri i atyre që ishin bërë doktor shkencash ishte 146 persona. Sociologë dhe pedagogë bien dakord me njëri – tjetrin në konstatimin e përbashkët të tyre se “kemi të bëjmë me një hiperproduksion të nxitur nga rrënimi i vlerave shoqërore në përgjithësi”. Në rrethana të këtilla, prof. dr. Abdurrauf Pruthi vëren se është e pritshme që të kemi rritje të madhe të numrit të magjistraturave dhe doktoraturave, pasi gjendja në fjalë thotë se është refleksion edhe i zgjerimit të tregut akademik. Janë hapur shumë universitete dhe kjo u jep mundësi shumë më të mëdha njerëzve që të bëjnë karrierë akademike dhe ta shohin vete të punësuar në ato universitet. “Pastaj puna e cilësisë është një çështje më vete dhe që gjithashtu lidhet në mënyrë të drejtpërdrejt edhe me cilësinë e diplomës deri universitare”, shpjegon ish-pedagogu universitar Pruthi. Te rënia e cilësisë dhe zgjerimi i rrjetit të institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoni e sheh problemin edhe sociologu Ali Pajaziti. “Hiperproduksioni i gradave akademike, flet për dukurinë që në shkencat sociale njihet si kredencializëm, pra vrapim pas diplomave dhe certifikatave”, pohon prof. dr. Pajaziti, ndërsa një faktor po aq i rëndësishëm… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.