Apelohet që qytetarët të jenë më të kujdesshëm kur hasin në njerëz të panjohur, të cilët ofrojnë apo kërkojnë shërbime të ndryshme në këmbim të parave
Urim HASIPI
Tetovë, 8 mars – Mashtrimet e ndryshme, kryesisht ndaj personave të moshuar, vazhdojnë të jenë prezent në forma të ndryshme në rajonin më të gjerë të Pollogut. Zakonisht mashtruesit kanë qenë banorë të Maqedonisë së Veriut, për dallim nga një rast të këtij viti kur ishin të involvuar edhe shtetas të vendeve fqinje. Po ashtu, mashtruesit kryesisht gjejnë persona të moshuar pranë tregjeve apo bankave, dhe arrijnë të përdorin metoda të ndryshme për të përfituar shuma të ndryshme të parave. Mashtruesit që operojnë në qytetin e Tetovës dhe Gostivarit, zakonisht u kanë kërkuar para të mashtruarve kinse ndodhen në situata ta palakmueshme. Më pas, të mashtruarit kanë kuptuar se kanë qenë cak i mashtrimit. Kësisoj, gjatë tre viteve të kaluara në rajonin e Pollogut, gjithsej janë regjistruar 115 raste të mashtrimeve.
Të paktën këto janë shifrat zyrtare që janë denoncuar në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë. Sipas policisë së Tetovës, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 35 raste ose në Tetovë 17, kurse 18 në Gostivar. Prej këtyre rasteve të mashtrimit, të regjistruara në vitin 2018 gjithsej janë zbardhur 28 raste edhe atë në Tetovë 17 raste janë zbardhur kurse në Gostivar 11 raste. “Gjatë viti 2019 janë regjistruar 44 raste të mashtrimeve, në Tetovë 29 dhe Gostivar 15, kështu që prej tyre, janë zbardhur 36 raste, apo në Tetovë janë zbardhur 29 kurse në Gostivar 7 raste. Gjatë vitit 2020 janë regjistruar 36 raste edhe atë në Tetovë 26 raste kurse në Gostivar 10, ku prej tyre në Tetovë janë zbardhur 26 apo të gjitha, kurse në Gostivar janë zbardhur vetëm gjashtë raste”, njofton për Gazetën Koha, Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.
Nga policia bëjnë të ditur se krahas mashtrimeve me para, ekzistojnë edhe lloje të tjera të mashtrimeve. Gjatë viteve të kaluara, kryesisht në formë kanë qenë mashtrimet kur janë premtuar vende pune për këmbim të parave dhe viza pune jashtë vendit. “Llojet e veprave të cilat janë regjistruar gjatë kësaj periudhe në rajonin që mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, kemi të bëjmë me mashtrime të ndryshme si premtime për punësime të ndryshme, marrëveshje shitblerëse, sigurim të vizave, porosi të mallrave në të shumtën e rasteve, porosi të mobileve e kështu me radhë”, thotë zëdhënësi Rexhepi.
Bëhet e ditur se në rajonin e Tetovës zbulimi i mashtrimeve është në përqindje më të madhe se sa në Gostivar. “Vlen të përmendim se sa u përket rasteve të regjistruara, në rajonin e Tetovës janë zbardhur tërësisht dhe efekti zbulues është 100 për qind, ndërsa në rajonin e Gostivarit efekti zbulues ka arritur në 65 për qind dhe deri në Prokuroritë Publike Tetovë dhe Gostivar janë lëshuar parashtresa adekuate për të gjitha rastet e regjistruara, si ato me aktorë të njohur, po ashtu edhe për rastet me kryerës të panjohur”, deklaroi për gazetën Koha, Fatmir Rexhepi.
Apelohet që qytetarët të jenë më të kujdesshëm kur hasin në njerëz të panjohur, të cilët ofrojnë apo kërkojnë shërbime të ndryshme në këmbim të parave. Posaçërisht, apelohet që qytetarët të jenë të vëmendshëm kur janë pranë tregjeve, qendrave tregtare, bankave, postave dhe institucioneve tjera ku ka frekuentim më të madh të njerëzve.