Në tre muajt e parë të këtij viti, kompanitë nga Maqedoni kanë eksportuar mallra në vlerë të përgjithshme prej i 1.529.000.000 euro, apo 16.8 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe më tej shkëmbim më të lartë tregtar Maqedonia ka me Gjermaninë, ndërsa me vendet e rajon kryeson Kosova, Serbia dhe Greqia
Zejnulla VESELI
Shkup, 8 maj – Në Republikën e Maqedonisë së Veriut eksportet po rriten më shpejt sesa importet, gjë që dukshëm po ndikon në reduktimin e deficitit tregtar. Por kompanitë vendore ende mbështeten tek investitorët e huaj që do të mund të eksportojnë mallrat e tyre, pasi mbi gjysma e eksporteve janë rezultat i punës së 20 kompanive të huaja që punojnë në zonat e lira ekonomike. Kështu tregojnë të dhënat të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) për tre muajt e parë të këtij viti, ndërsa bëhet e ditur se kompanitë nga Maqedoni kanë eksportuar mallra në vlerë të përgjithshme prej 1.529.000.000 euro, që është 16.8 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan gazeta KOHA.
Ndërkohë, nga vendet e jashtme janë importuar mallra në vlerë prej 1. 988.000.000 euro apo rritje për 11.5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërkohë që këmbimi tregtar për tre muajt e parë kap vlerën prej 3.517.000.000 euro. Me këtë, tregojnë të dhënat e ESHS-së, mbulimi i importit arriti në 76.9 për qind, derisa në të njëjtën periudhë, mbulimi i importeve ishte 73 për qind.
Rritja e eksportit është kryesisht si rezultat i kompanive të huaja që operojnë në zonat e lira ekonomike, tregon analiza e ESHS-së. “Në tre muajt e parë të këtij viti, drejt vendeve të huaja kompanitë nga Maqedonia kanë eksportuar mallra ndërmjetëse 1.1 miliard euro, pastaj mallrat e konsumit prej 318 milionë euro dhe mallrat kapitale 295 milionë euro. Në kategorinë e grupeve ndërmjetëse, pjesa më e madhe e mallrave të eksportuara përbëhet nga platini dhe lidhjet e platinës, të cilat përdoren për përgatitjen e katalizatorëve, pastaj vajrave të naftës, produkteve të hekurit dhe çelikut. Ndërsa mallrat kapitale përfshijnë edhe autobusë”, thuhet në kumtesën e ESHS-së.
Edhe analiza e fundit e Bankës Popullore të Maqedonisë për tre mujorin e parë të këtij viti tregon se kompanitë që operojnë kryesisht në zonat e lira ekonomike, kanë kontribuar dukshëm në rritjen e eksportit.
“Eksporti i mallrave tradicionale nga Maqedoni reduktohet në rreth 26 për qind, ndërsa eksporti i mallrave të reja siç janë pajisjet dhe makineritë, si dhe produktet kimike që aktualisht mbizotërojnë, marrin pjesë totale prej rreth 45 për qind për vitin 2017. Pra, struktura e eksporteve të kompanive të huaja ndryshon shumë nga struktura e eksportit të mallrave tradicionale të kompanive vendore”, thuhet në analizën e BPM-së. Edhe më tej shkëmbim më të lartë tregtar Maqedonia ka me Gjermaninë, shtetin nga e cila kryesisht kemi kompani shumë të rëndësishme të huaja që operojnë në zonat e lira ekonomike.
Sipas të dhënave të ESHS-së, në kuartalin e parë të vitit 2019, 20 kompanitë që funksionojnë në zonat e lira në Maqedoni drejt Gjermanisë eksportuan mallra në vlerë prej 769 milionë euro, ndërsa janë importuar mallra në vlerë prej 221 milionë euro. Këto të dhëna flasin se Maqedonia është një nga vendet e pakta që realizon suficit në këmbimin tregtar me Gjermaninë”, thuhet në kumtesën e ESHS-së. Pas Gjermanisë, Maqedonia për tre muajt e parë të këtij shënon rritje sa i përket eksportit të mallrave me vendet e rajonit, kryesisht me Kosovën, Serbinë dhe Greqinë. (koha.mk)