Aida XHONI
Shkup, 30 nëntor – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), alarmon për epidemi të HIV-it në Evropë. Në një raport të përbashkët të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, thuhet se 160.000 njerëz janë prekur me virusin që shkakton AIDS-in, vitin e kaluar. Të diagnostifikuarit janë regjistruar në 53 vende dhe rreth 80 për qind e tyre ndodhen në Evropën lindore.
Sa i përket Maqedonisë, vitin e kaluar janë zbuluar 33 raste të reja (që të gjithë meshkuj), ndërsa dy nga ato kanë vdekur. Statistikat e Institutit për Shëndet Publik, thonë se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në Maqedoni janë regjistruar edhe 22 raste të reja, bëhet fjalë për banorë nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Prilepi dhe Vallandova. Asociacion për edukim shëndetësor dhe hulumtim – HERA, fton gjithë qytetarët të cilët nuk e dinë gjendjen e tyre të bëjnë HIV test në qendrat më të afërta për testim, i cili është falas, vullnetar dhe i besueshëm, ndërsa rezultatet do t’i marrin për më pak se 30 minuta dhe janë të garantuara.
“Në periudhën prej vitit 1987 deri në vitin 2017, nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara me infeksionin HIV është 338, derisa numri i personave të vdekur që si shkak kanë pasur lidhshmërinë me SIDË-n, është 83. Pjesa më e madhe e infektimeve ka ndodhur nëpërmjet marrëdhënieve të pambrojtura seksuale. Në këtë moment, në Shtëpinë e shëndetit publik në Klinikën Universitare për sëmundje infektive dhe gjendje febrile me terapi antiretrovirusale mjekohen 190 pacientë”, tha për gazetën KOHA, Elizabeta Bozhinoska, koordinatore nga Asociacioni HERA.
Sipas Bozhinovskës, Republika e Maqedonisë obligohet t’i jep fund epidemisë HIV, si problem shëndetësor publik deri në vitin 2030. |Gjithashtu obligohet që me deklaratën politike për HIV dhe Sidë të dhënë në Kuvendin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që deri në vitin 2020 të arrijë qëllimin 90-90-90, përkatësisht 90% nga përqindja e pacientëve që jetojnë me HIV ta dinë statusin e tyre, 90% të vendosen në terapi antiretrovirusale dhe 90% nga ata që marrin terapi të kenë kontrollim të suksesshëm të infektimit.
Dita botërore kundër AIDS është një ditë që kujtohet çdo 1 dhjetor që prej vitit 1988, që ditën kur ministrat e shëndetësisë nga e gjithë bota, u mblodhën për të diskutuar mbi AIDS-n, kur u fol shumë lidhur me tolerancën, shkëmbimin e hapur të informacionit dhe përvojën në luftën kundër tij. Nga Sida vitin e kaluar, në botë humbën jetën një milion persona, që është dyfish më pak se në viti 2005, ku kjo sëmundje mori jetën e pothuajse dy milionë vetëve, njoftoi KB-ja.
Në vitin 2016, 19,5 milionë persona kanë pasur qasje në mjekim nga gjithsej 36,7 milionë persona që jetojnë me virusin HIV. Nga paraqitja e epidemisë, në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, me virusin HIV janë infektuar gjithsej 76,1 milionë persona. Që atëherë rreth 35 milionë persona kanë vdekur nga kjo sëmundje. (koha.mk)