Në vetëm 2 vite Joao Cancelo bëri hapa gjigandë në karrierën e tij duke djegur shumë shpejt etapat. Fillimisht u transferua nga Valencia te Interi, më pas kaloi te kampionët e Italisë Juventusi dhe të mërkurën e kaluar u zyrtarizua si blerja më e re e kampionëve të Anglisë Manchester City-t. Cancelo është shumë i lumtur që tashmë do të jetë pjesë e një nga skuadrave më të mira të botës dhe nuk ka aspak frikë as nga konkurenca e Kyle Walker me të cilin duhet të luftojë për një vend në formacionin e Citiziens.
“Si lojtar më pëlqejnë sfidat e reja. Kyle Walker është një lojtar i shkëlqyer, por unë mendoj se sa më shumë konkurrencë të ketë në ekip, aq më shumë rritesh dhe përmirësohesh si lojtar. Unë gjithmonë kam pasur ëndërr të jem lojtari më i mirë dhe mbrojtësi i djathtë më i mirë dhe besoj që duhet të luash me më të mirët, që ta arrish atë. Manchester City ka lojtarët më të mirë, dhe është vendi më i mirë për mua, për tu rritur si lojtar. Sipas meje Premier League, është kampionati më i mirë në botë pa asnjë lloj dyshimi. Mezi po pres të luaj ndeshjen time të parë këtu.”, u shpreh 25-vjeçari.