Athinë, 4 tetor – Qeveria greke me kujdes po e ndjek situatën në vendin fqinj dhe i përkrah përpjekjet që i gjithë procesi të shkojë përpara, sepse do të jetë për të ardhur keq nëse ky shans nuk shfrytëzohet, thotë ministri pa portofol i Greqisë dhe zëdhënësi i Qeverisë, Dimitros Xanakopulos në intervistën për radion “Sto kokino”.
“Ekzistojnë opsione politike që mund t’i bëjë zoti Zaev, të cilat do të sillnin revizion kushtetues. Por, unë momentalisht nuk dua që t’i komentoj ngjarjet në politikën e brendshme. Ekziston një forcë e fuqishme politike në vendin fqinj që obligohet të bëjë përpjekje me çfarëdo lloj mjeti që ka në dispozicion për plotësimin e parakushteve thelbësore, respektivisht revizionin e Kushtetutës dhe ne këtë e përshëndesim dhe e lavdërojmë. E ndjekim dhe e përkrahim këtë përpjekje të madhe që i gjithë ky proces të shkojë përpara dhe të mos humbet ky shans kaq i madh sepse do të jetë me të vërtetë për të ardhur keq”, tha zëdhënësi i qeverisë greke.
Siç raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina, Xankopulos disa herë përsëriti se nuk dëshiron që t’i komentojë ngjarjet e brendshme politike në vendin tonë dhe sqaroi se “Zaev deklaroi se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet, Marrëveshja e Prespës të hyjë në fuqi”.
“Ajo që mbetet të shohim është periudha kohore për plotësimin e parakushteve thelbësore, respektivisht revizionin e Kushtetutës që është kushti qendror që pala greke të vazhdojë ratifikimin e marrëveshjes dhe të hyjë në fuqi”, tha Xanakopulos.