Bruksel, 16 tetor – Funksionarë të lartë diplomatikë të Francës thonë se minimum edhe një shtet tjetër i BE-së, i përkrah ata në vendimin kundër hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut, në samitin e nesërm.
Në pyetje se cilat janë këto shtete, diplomatët francezë nuk dëshirojnë të japin emra. MIA vendosi kontakt me disa shtete anëtare të BE-së, por asnjëra nuk e konfirmon informacionin e arritur nga Parisi.
“Evidente është se Francë është e izoluar rreth kësaj çështje, as Holanda, as Danimarka, as Suedia nuk kanë problem me hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, edhe pse është e qartë se pjesa më e madhe e shteteve kanë problem me Shqipërinë”, thonë burime diplomatike nga një shtet anëtar i BE-së,.
Francezët pozicionin e tyre në mënyrë shtesë e mbrojnë me argumentin se shtetet anëtare të cilat insistojnë në pakon me Shqipërinë, e minojnë parimin se “gjithkush me meritën e vet” dhe e hedhin fajin tek ato shtete. Sipas burimeve diplomatike bëhet fjalë për Italinë, Gjermaninë dhe shtetet nga blloku lindor i Evropës. Por, ndaj kësaj diplomatë të tjerë replikojnë se pikërisht Parisi është ai i cili e refuzoi propozimin e presidencës së Finlandës, për ndarjen e dy shteteve në takimin e mbrëmshëm ministror.
Diplomatë nga shtete e Beneluksit, thonë se e kuptojnë pozicionin e Francës dhe kërkesat e tyre drejt reformës së metodologjisë për procesin negociues dhe se në parim askush nuk e kundërshton propozimin, por se dhënia e dritës jeshile për Maqedoninë e Veriut “në asnjë rast nuk gërshetohet me atë reformë”.
“Kisha dashur dikush të më tregojë saktë çka është ajo reformë e metodologjisë, kemi tashmë një grumbull procesesh të monitorimit, duam të luftojmë kundër reformave regresive, për arsye se ose qeveritë relaksohen, ose opozita nuk dëshiron të bëjë reforma kur të vijë në pushtet”, thotë një diplomat i një shteti perëndimor anëtar i BE-së.
Ai pranon se ekzistojnë problemeve në procesin negociues dhe se është i nevojshëm një sistem më solid. Por, kjo nuk mund të realizohet paralelisht me dhënien e dritës jeshile.
Një prej çështjeve që parashtrohet, është se çka do të ndodhë me ata shtete të cilat janë duke zhvilluar negociata. Franca nuk propozon asgjë konkrete dhe thotë në parim ndaj të gjithëve duhet të zbatohet metodologjia e re, por plotësisht e paqartë është se si dhe vallë kjo është e realizueshme në aspektin juridik. Nga Parisi thonë se nga këndi juridik kjo është çështje e Komisionit Evropian.
“Të zbatohet më vonë mundet të na çojë që t’i ndryshojmë rregullat e lojës në rrjedhën e procesit, ndërsa kjo nuk është ideale. Pse mos të ketë reverzibilitet më të madh, edhe nëse vendosim të japim dritë jeshile tani, ekzistojnë edhe shumë hapa dhe kemi arsenal të mjaftueshëm t’i arrijmë rezultatet e njëjta, të cilat do të kishim arritur me instrumentin e ri”, shton një diplomat i një shteti anëtar themelues i BE-së.
Sa i përket argumentit gjeopolitik se refuzimi i hapjes së negociatave për anëtarësim do të ishte rrezik i madh për ndikim rus, kinez apo turk në rajon, Parisi përgjigjet se edhe shtete të cilat për momentin zhvillojnë negociata janë të ekspozuar ndaj këtyre ndikimeve, që tregon se negociatat nuk paraqesin garanci.
I pyetur se nëse Franca i merr parasysh paralajmërimet e shteteve të caktuar se vendimi negativ për Maqedoninë e Veriut mund të thotë kthim të forcave anti perëndimore, diplomatët nga Parisi, përgjigjen se “Komisioni Evropian për herë të parë kur dha rekomandim për fillim të negociatave ishte pikërisht ai regjim”, gjë që e vë në pikëpyetjeve kredibilitetin e KE-së.
“Komisioni Evropian thotë se reformat janë bërë në të dy shtetet, ata kanë edhe vlerësimin e veta, shtetet anëtare e kanë vlerësimin e vet, por duhet t’ju përkujtoj se Komisioni Evropian vlerësoi se Maqedonia e Veriut ishte e gatshme më t’i fillojë negociata në kohën e regjimit”, thotë një diplomat i lartë për MIA-n
Parisi përsërit se ende nuk është i kënaqur nga reformat në gjyqësor, në të dyja shtetet edhe pse e pranon se situata në Maqedoninë e Veriut është më e mirë se sa në Shqipëri.
“Perspektiva evropiane e Ballkanit për neve nuk është e kontestuar, por doemos duhet të jemi të qartë rreth kredibilitetit të reformave dhe duhet të mënjanohet që kredibiliteti i procesit të kontestohet, ne dëshirojmë fundi i negociatave të mos jetë shumë larg prej kur ato të fillojnë. Gjithsesi mos harroni se do të ketë referendume edhe në disa shtete anëtare (përfshi Francën) dhe se çdo hap duhet t’i sqarohet mirë opinionit tonë, i cili është tepër i shqetësuar për korrupsionin, kriminalitetin dhe imigrimin”, shtoi ky diplomat për MIA-n.
Por, diplomatë të tjerë të cilët janë të njohur me këto argumente përkujtojnë se “shumë normale” është që të ekzistojnë mungesa në sistemet e drejtësisë në shtetet kandidate dhe se ata “nuk mund të jenë të gatshëm për tu anëtarësuar, për shkak se pikërisht ky është qëllimi i negociatave, t’i përgatisë ata për anëtarësim në BE”.
Nga bisedat me diplomatët në Bruksel, mbetet përshtypja se Franca “kërkon vetëm arsyetim” për të mos i hapur negociata me Maqedoninë e Veriut, por nuk është e qartë se pse.
“Vallë Markoni dëshiron diçka në këmbim, vallë këtë e shfrytëzon për të bërë presion për diçka, apo vallë ky është pozicioni politik apo personal, kjo është shumë e paqartë, do të dihet nesër dhe pasnesër pasi që do të bisedohet në nivel të liderëve, por edhe më pas kur do të duhet ta arsyetojnë pozicionin para medieve”, thotë një diplomat i një vendi anëtar të BE-së.
Në raport me Maqedoninë e Veriut ndjenja është se çështja ka të bëjë me kredibilitetin e BE-së dhe kredibilitetin e vetë Francës, si lidere e Bashkimit Evropian, shtojnë burime diplomatike.
“Të gjithë që i përkrahin dy shtetet, dyfish më tepër e mbështesin Maqedoninë e Veriut, për shkak të Marrëveshjes së Prespës dhe për arsye se kanë pritur shumë. Ky është një test i madh për kredibilitetin dhe unitetin e BE-së”, thotë një burim diplomatik, i cili shton se “është shumë e paqartë se si një lideri i kalibrit të Markonit mund të bëjë një gabim kaq të madh strategjik”.(koha.mk)