Zejnulla VESELI
Shkup, 9 maj – Lidhja e Sindikatave e Maqedonisë (LSM) kërkon që menjëherë sa të formohet Qeveria e re të fillohet dialogun për përmirësimin e mirëqenies sociale, ku në fokus të bisedimeve të jetë rritja e rrogës minimale si dhe formimi i një strategjie të përbashkët për rritjen e rrogave, shkruan gazeta KOHA. Nga LSM-ja potencojnë se ideja e për fillimin e bisedimeve nuk do të jetë vetëm për rritjen e rrogës minimale, por në përgjithësi për rritjen e të gjithë rrogave, sepse viteve të fundit sindikata nga analizat e bëra deri më tani ka ardhur në përfundim dhe ka identifikuar pabarazi të madhe në rroga për vende të njëjta pune. “Rroga minimale, e qe tani ka vlerën prej 10.800 denarë është tepër e ulët dhe duhet patjetër të rritet. Analizat tona tregojnë se ka mundësi dhe hapësirë për të rritur rrogat në Maqedoni. Për fillim, rroga minimale duhet të rritet aq sa tregon përllogaritja e shportës së konsumit, gjegjësisht në nivelin prej 41 për qind, sa janë harxhimet mujore për ushqim për një familje katër anëtarëshe. “Pra rroga minimale të rritet në 13.120 denarë aq sa harxhon një familje katër anëtarësh brenda një muaji vetëm për ushqim. Pikërisht procesi i bisedimeve me qeverinë e re do të ishte që menjëherë pas formimit të rritet rroga minimale në 13.120 denarë që në të ardhmen rroga minimale të mund të ndjekë dhe rritjen e çmimeve në treg”, thonë nga LSM-ja. Të dhënat e fundit të publikuara nga LSM-ja përfundimisht me muajin mars të këtij viti kanë përllogaritur se për të mbyllur muajin mars, një familje katër anëtarëshe i janë nevojitur më së paku 32.102 denarë. Për ushqim dhe pije një familje katër anëtarësh i nevojiten 13.174 denarë, për pagesa komunale, pajisje për shtëpi dhe mirëmbajtje, 10.454. Për transport, 2.339 denarë, për higjienë personale dhe pastërti në shtëpi, 2.249 denarë, për veshje 2.133 denarë. Gjithashtu për shëndet i nevojiten 678 denarë, kurse për kulturë 1.070 denarë. Pra gjykuar sipas rrogës mesatare në Maqedoni e cila në muajin mars kapte shifrën 21.401 denarë i bie që për të plotësuar shportën e konsumit i nevojiten edhe 10 mijë denarë ndërsa një kryefamiljare me rrogë minimale prej 10.800 denarë i mungojnë edhe 20 mijë denarë. (koha.mk)