Nga Jusuf Buxhovi
Sapo hymë në Dushkajës dhe këtë e hetova nga gurgullima e ujit të Erenikut kur e kaluam lumin, m’u qepën mendimet rreth kryqtarëve Normanë, tek te cilët kishim varur shpresat se me ardhjen e tyre mund na hiqej qafe lufta e kryqit me kryq, që po më ngatërroheshin me ato rreth Temepelarëve, që kishin zënë vendin e tyre dhe po përgatiteshin për fushatën e tyre jo për ta shpëtuar varrin e shenjtë siç thoshin Normanët, po për ta marrë Qendrën e kryqit nga ortodoksët, meqë bënin hesape me osmanët në dëm të botës katolike…
Në ato hakërrime, seç m’u kujtuan ato fjalët nga i pari i Normanëve, kur e prita me kurorën e dafinës dhe i tregova për paqen që na mungonte nga lufta e kryqit me kryq, dhe ai me tha se do kthente kryqin e dikurshëm, atë të përbashkëtin, me emblemën e Normanëve.
Nga ai çast e pata të qartë se fillonte koha e një pushtimi të ri, që nuk vonoi dhe kjo u pasqyrua me dërgimin tim në Kështjellën e Pashtrikut pasi kishin marrë pëlqimin e kundërshtarëve të mi, të gatshëm për çfarëdo vasaliteti, që u ofronte sado pak pushtet.
Kryqtarët Tempelarë e dija se vinin si pushtues. Këtë ma kishte ba të ditur prifti tebdil që kishte ardhur ditë më parë në kështjellë dhe me kishte thënë se principata ime me gjithë ato që kishte duhej t’u vihej në shërbim kryqtarëve që do ta merrnin qytetin e shenjtë nga ortodoksit e pabesë. Pra, Normanët vinin si fitimtarë-pushtues dhe këtë nuk e fshihnin.
Sigurisht se po ta pyesja Mikelin plak, i cili vazhdonte me ato çapuritjet rreth fronit që me priste dhe shpresës së vendi pas largimit të Normanëve mund të kthente mëvetësinë e dikurshme, se cili është dallimi midis atyre që kishin ardhur si shpëtimtarë dhe ishin kthyer në pushtues dhe të tjerëve që vinin si fitimtarë, por që ishin pushtues të rinj, do ta merrja atë përgjigjen e pritshme se pushtuesit fitimtarë ushqenin mllefin, që një ditë mund të shpërthente, ndërsa shpëtimtarët si pushtues – me anën e vasalëve që i mbanin në pushtet dhe i shfrytëzonin si t’u duheshin, ushqenin atë mashtrimin e përhershëm…
(Shkëputje nga romani “Letrat për Kryeprincin”, 2003)