Projekti “Moblizimi i shoqërisë në luftën kundër urisë”, është realizuar që të vetëdijesohen qytetarët që të mos hedhin ushqimin, për shkak se një pjesë tjetër e shoqërisë vuan për ushqim
Zenel MIFTARI
Shkup, 27 shkurt – Dje në Shkup është organizuar konferenca përfundimtare e projektit “Moblizimi i shoqërisë në luftën kundër urisë”, realizuar në kuadër të Bankës Botërore për ushqim dhe me mbështetjen e IPA-fondeve të BE-së. Sipas disa hulumtimeve, rezulton se diku 450.000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut nuk mund të përballojnë tre vakte ushqimore në ditë.
Biljana Dukovska, nga OJQ-ja “Platforma e Maqedonisë kundër varfërisë”, u shpreh se të gjithë thonë se deri tash askush nuk ka vdekur nga mungesa e ushqimit.
“Por ne duhet të tregojmë se nuk është njëjtë, të jenë makaronat ushqim disa herë në javë dhe ndryshe është kur ka ushqim më cilësor. Maqedonia e Veriut, ka probleme serioze me varfërinë ku një pjesë e madhe e qytetarëve të saj nuk munden ti mbulojnë harxhimet elementare mujore të tyre”, shtoi Dukovska. Qëllimi i këtij projekti, sipas Toni Stankovski nga OJQ-ja “Lubeznost”, ka qenë që të vetëdijesohen qytetarët që të mos hedhin ushqimin, për shkak se një pjesë tjetër e shoqërisë vuan për ushqim. “Jemi në një epokë të re ku sipas disa statistikave një numër i madh i personave janë në depresion dhe kanë mendime që të vetëvritet, për shkak problemeve të përditshme të tyre”, shtoi Stankovski. Ai shtoi se sipas një instituti të Beogradit një numër i madh i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, janë të uritur dhe nuk arrijnë që të mbulojnë tre kohët ushqimore të tyre gjatë ditës. Për të tejkaluar problemet e urisë, në Maqedoni merret dhe Banka për Ushqim, e cila realizon disa projekte të Bankës Botëror, kurse përfaqësuesja i kësaj banke, Stojane Todorovska, shpjegoi disa nga objektivat e kësaj banke.
“Banka Botërore është organizata e parë, e cila merret me personat të cilët kanë nevojë për ushqim dhe kujdeset për ata. Banka për Ushqim ka bashkëpunuar me kompanitë dhe restorantet të cilat prodhojnë, distribuojnë apo në një farë mënyre merren me ushqim. Ne do të fillojmë që të bashkëpunojmë edhe me gjashtë organizata tjera që ushqimin ta distrubojnë në gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm në Shkup”, njoftoi Todorovska. Ndërkohë Natasha Dokovska Spirovska, nga OJQ-ja “Gazetarët për të drejtat e njeriut”, sqaroi punën në terren të gazetarëve mbi çështjet që lidhen me varfërinë dhe urinë.