Stokholm, 26 prill – Kompania ajrore skandinave SAS kumtoi se sot janë anuluar 673 fluturime, pasi pilotët në Danimarkë, në Norvegji dhe në Suedi filluan grevën.
Siç informoi agjencia gjermane e lajmeve DPA, bisedimet mes SAS dhe sindikatës në mëngjes përfunduan pa marrëveshje.
Pilotët e SAS kërkojnë kompensim për uljen e pagave dhe lëshime të tjera të cilat i kishin bërë në vitin 2012.
Për shkak të grevës së pilotëve të SAS janë prekur rreth 72.000 udhëtarë. Sindikata e pilotëve paraprakisht e kishte paralajmëruar grevën dhe i kishte këshilluar udhëtarët që ta kontrollojnë ueb faqen e SAS për hollësi për fluturimet.