Shkup, 3 prill – Këstet e kredive për shoqatat financiare dhe lizing kompanitë ulen për të paktën 70 për qind në tre muajt e ardhshëm, në drejtim të ndihmës së qytetarëve për tejkalimin e goditjeve nga Kovid-19, shkroi ministrja e Financave Nina Angellovska në profilin e saj në Fejsbuk.
Ajo shtoi se për këto mjete nuk guxojnë të llogariten dhe të paguhen shpenzime për provizione dhe norma ndëshkuese, detyrimet do të shpërndahen në mënyrë të barabartë në këste të tjera gjatë pagesës ose ripagimi mund të zgjatet për të paktën 90 ditë.
Sipas publikimit të ministres, qytetarët do të marrin njoftimin për kushtet e reja përmes faqes në internet të kompanisë financiare ose lizing me sms, e-mail ose komunikim tjetër elektronik. Nëse ata nuk e refuzojnë ofertën brenda 10 ditëve, ajo do të konsiderohet e pranuar. Për personat juridikë do të vendoset individualisht, me kërkesë të vetë klientit, edhe në mënyrë elektronike.
Marrëveshjet e reja për kredi, nga ana tjetër, mund të miratohen për një periudhë mospagimi tre-mujore me kërkesë të klientit dhe gjatë asaj periudhe do të llogaritet vetëm interesi kontraktual. (koha.mk)