Tiranë, 18 qershor – Pas publikimit të konstatimeve të miratuara nga Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka reaguar kryeministri shqiptar, Edi Rama. Ai në Twitter shkroi se ky është një lajm shumë pozitiv nga Evropa dhe shtoi se duhet t’i vihet fund “ofensivës së pistë” kundër Shqipërisë, duke iu referuar aktiviteteve të opozitës, transmeton KOHA.
“Lajme shumë pozitive nga Evropa në rrugën e hapjes së negociatave. Pavarësisht luftës së pakufizuar në frontin politik të së keqes, që është duke bërë çdo gjë të mundshme për ta dëmtuar vendin në sytë e Evropës, për t’i bllokuar negociatat me kërcënimet, kokteje molotovi dhe përgjime të montuara, Shqipëria mbijeton. Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg u pajtuan që të rikthehen më së voni në tetor me hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Le ta kundërshtojmë deri në fund ofensivën me baltë dhe gurë kundër Shqipërisë. Të gjithë së bashku më 30 qershor”, shkroi Rama në Tuiter.