Për pushtetin zgjedhje të parakohshme janë të mundshme në tetor të vitit 2020

Shkup, 15 korrik – Për të shkuar të gjithë si fitues do të mund të kemi zgjedhje të parakohshme në tetor të vitit 2020, dy muaj më herët nga ato të rregullta, tha kryeministri Zoran Zaev, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën për shtyp në Qeveri ku bëri thirrje për takim të liderëve të premten në Klubin e deputetëve, njofton Koha.mk

Me shkuarjen në zgjedhje tani, siç theksoi, gjashtë muaj do të shkatërrohet shteti në pjesën e ekonomisë.

“Mbes në qëndrimin se duhet të shkojmë në zgjedhje të rregullta. Zgjedhje të shpejta të parakohshme e pamë se deri ku e sollën shtetin për shkak të konsultimeve politike. Nëse duhej të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare, do t’i shpallnim së bashku me ato presidenciale. Zgjedhje të rregullta duhet të ketë në dhjetor të vitit 2020, ndërsa unë nuk kam problem të caktohen për në tetor të vitit të ardhshëm”, tha Zaevi.

Theksoi se për momentin nuk sheh kurrfarë argumenti për zgjedhje të parakohshme, përveç që do të bllokohen procese të caktuara.

Sipas tij, për shkak të qytetarëve dhe daljes më të madhe më mirë është që zgjedhjet të mbahen në tetor, e jo në dhjetor të vitit të ardhshëm.

“Mendoj se në dimër, nëpër borë, nuk duhet të mbahen zgjedhje, jo për shkak të politikanëve, për për shkak të qytetarëve. Dëshirojmë dalje më të madhe dhe pse të jetë dhjetori kur mundemi ta bëjmë në tetor kur ende nuk është dimër i vështirë”, plotësoi Zaevi.

Të gjitha vendimet e vështira politike, theksoi, janë marrë që t’i jepet mundësi ekonomisë dhe për shkak të standardeve ekonomike dhe në të ardhmen duhet t’i jepet mundësi ekonomisë.

“Nëse dikush frikësohet nga rezultatet e ardhshme ekonomike, edhe atë ka arsye të frikësohet për shkak të kësaj që kishte guxim dhe janë marrë vendime pa marrë parasysh skenën politike që duhet të paguhet. Tani vijnë temat ekonomike në të cilat duhet të punojmë dhe konform të cilat populli ynë do të ketë përfitim dhe është logjike unë pres të më japin mbështetje për mandat të dytë. Kjo është shumë logjike dhe ky është qëllim legjitim i kryeministrit, opozita dëshiron këtë qëllim ta minimizojë”, tha Zaevi.

Sipas tij, nuk ka kurrfarë rasti të shkohet në zgjedhje dhe të lëshohen mundësi për rritje të parametrave ekonomikë, që ka qenë rast në të gjitha shtetet kur janë bërë anëtare të NATO-s apo kanë filluar negociata për anëtarësim në BE. (koha.mk)