Në sferën publike, ku gazetaria është në front, dyshohet si asnjëherë më parë në misionin e saj. Sigurisht për këtë kanë dorë edhe vetë gazetarët, por kryesisht është fryma e përcjellë nga politika që përfitimin e ka vënë si parësore, para zhvillimit të përbashkët aq të munguar e aq të vonuar
Nga Nazim RASHIDI
Pak ditë më parë u botua libri im “Një prerje shoqërisë. Për një kulturë mendimi” dhe nga shumë reagime, më bën përshtypje disa komente dashamirëse, por cinike. “Po pse je munduar kot?” ose “Ti shumë mirë, por kush u beson gazetarëve?”, apo “Askush nuk ndikon tek politika, kush e di ç’të thuhet”. Në libër por ja edhe këtu po jap një përgjigje. Nuk pretendoj se puna ime modeste do ndryshojë botën. Por as sundimi i cinizmit e as ndalimi i përpjekjes janë përgjigje. Jam shpjeguar edhe në libër, por ja dhe këtu. Profesioni i gazetarit po kalon një nga sfidat më serioze që nga koha kur unë fillove të merrem me këtë profesion. Pse? Arsyet janë të ndryshme, por baza e kësaj krize vjen tek një degradim i asaj që duhet në koncept të jetë e mira e përgjithshme. Në sferën publike, ku gazetaria është në front, dyshohet si asnjëherë më parë në misionin e saj. Sigurisht për këtë kanë dorë edhe vetë gazetarët, por kryesisht është fryma e përcjellë nga politika që përfitimin e ka vënë si parësore, para zhvillimit të përbashkët aq të munguar e aq të vonuar.
Në vitet e mija si gazetar, që fillojnë nga vitet ’90 të shekullit të kaluar, rritja në profesion ka shkuar paralel me sfidat e shoqërisë dhe popullit tim. Rënia e murit të Berlinit, rënia e ish Jugosllavisë, rënia e komunizmit në Shqipëri, luftërat në Ballkan, skemat piramidale në Shqipëri, lufta në Kosovë, konflikti në Maqedoninë e Veriut, pavarësia e Kosovës, rendja për integrime, rendja për të kapur Perëndimin… dhe në gjithë këtë rendje pa ndalim, nëse i bëj një stop zhvillimeve dhe e shikoj atë se çka ngjarë si me ato aplikacionet virtuale që të lejojnë t’i rrotullosh ngjarjet 360 gradë, do vërej se përplot zhvillime në kontekstin e vuajtjeve dhe represionit kanë sjellë një përparim të paimagjinueshëm. Sot në vitin 2022, nuk dominojnë as represionet e viteve ’90, as konfliktet dhe as mungesa e prezencës shqiptare në vendimmarrje. Në kontekst të zhvillimit shoqëror e demokratik gjithë ky përparim s’është paralel. Është evident fakti se prezenca në politikë dhe pushtet shkon në linjë të zhdrejtë me mundësitë e “djegura” për të arritur edhe më shumë zhvillim. Në esencë kjo ka të bëjë, për mua, me të kuptuarit e demokracisë dhe vlerave të kohës që ka Perëndimi, e për të cilat ne jemi pas. Kjo gjë lidhet me mungesën e edukimit, edukimit ndër breza, në krahasim me Evropën, por dhe me edukimin e keq vitet e fundit dhe sidomos me mos edukimin dhe paaftësinë e klasave politike për të ngritur nivelin dhe për të përdorë pushtetin, që s’ka qenë asnjëherë kaq shumë në duart tona, drejt një përparimi më të madh.
Këtu me fillon zhgënjimi. Kaq shumë pa mundësi dikur dhe aq shumë vizione për të ardhmen, e sot kaq shumë pushtet dhe vizione të shkatërruara nga korrupsioni, ikjet masive dhe mungesa e dëshirës për atë të mirë të përgjithshme.
Por, pse i përmend gjithë këto?
Në punën time, tekstet, raportimet, emisionet tani libri që është një përmbledhje tekstesh, esesh apo kolumnash, motiv ka qenë veprimi jonë shoqëror. Ai zhgënjim, se pse mundësitë për zhvillim na ikin aq keq nga duart, kur liria s’ka qenë aq shumë pranë nesh, e ajo nga pushtetarët përdoret kryesisht veç për vete. Gjeneza ime në profesion, e me gjasë ende vijon, lidhet me atë dëshirën për përparim e për të kapur vendet e popujt të zhvilluar që më është ushqyer nga familja. Tekstet janë një kontribut i vogël, propozime modeste dhe kritikë e sinqertë për fenomenet e kohës duke qenë dëshmitar profesionist i gjithë atyre zhvillimeve të mëdha që mbase jo shpesh i qëllon një brezi t’i jetojë. Kur fillova të merrem me gazetari si gjimnazist, në Strugën time të lindjes në fillimin e viteve ’90 të shekullit të kaluar, me dashurinë time të parë radion, në Radio Strugë, një radio publike dhe Radion “Art Kanal”, një radio private në gjuhën shqipe e hapur nga familja e gazetares dhe këngëtares Fitnete Tuda, kishte aq paqartësi e mjegull për fatet tona sa pa diskutim që shtysa për gjithçka ishte liria dhe përparimi që na kishte ngecur nga sistemi ish Jugosllav. Por kjo kishte të bënte me mbijetesën sepse dominonte ndjesia e rrezikut për jetën dhe dëshirën e madhe për çlirim dhe përparim.
Në vitin 1994 u regjistrova në Universitetin e Tiranës, dega Gazetari. Atje pashë një frymë dhe një koncept tjetër për lirinë. Një popull i shtypur nga një regjim kërkonte aq shumë e aq shpejtë të kapë kohën e humbur, sa mundësitë për profesionin ishin kozmike. Profesorët e mi të nderuar, Lutfi Dervishi, Mark Marku, Bashkim Gjergji, Adi Krasta, Valentina Duka, Aurel Plasari e shumë të tjerë më shtynë në dimensione të përtejme për të parë konceptet e lirisë, zhvillimit dhe kritikës duke qenë gazetar realisht.
Dua të veçoj dy vetë. Lutfi Dervishin, i cili ndikoi shumë në vitet e para në profesion, edhe pse ende student, duke më dhënë mundësi për të punuar në gazetën “Republika” ku më pas u bëra edhe redaktor i faqeve të kulturës. Diçka që në vitet e mija të rinisë as që e imagjinoja dot, se një djalë nga Struga, nga ish Jugosllavia, Maqedonia e Veriut, se do ta arrinte, sado që ta ëndërroja të redaktoja pjesë të një gazete në Shqipëri. Mentorimi por edhe besimi i Lutfi Dervishit ishte tejet i rëndësishëm për pjesën e shtypit të shkruar.
Personi i dytë është Adi Krasta. Po gjatë viteve të studimit më dha mundësi që të punoja në një medie tjetër, radio. Ishte koha kur gazetaria në Tiranë dominohej veç nga shtypi dhe kur radiot sapo ishin shfaqur. Unë kisha një emision të darkës në Radio Koha. Besimi dhe mbështetja ishte e Krastës, që sërish ai djali i Strugës të mund të bënte profesionin siç nuk e kishte menduar ndonjëherë, por ama me atë motivin e madh të ushqyer që në shtëpi, për të bërë e për t’i dhënë shoqërisë që të shkojë përpara. Ky motiv e kjo dëshirë bëri që me ndihmën edhe të Ilir Zenkut, në vitin 1997, vitin e tmerrshëm të Shqipërisë, të realizohej transmetimi i parë në internet i një emisioni në radio nga Shqipëria. Duke pasur atë shtysën e madhe për përparim, Iliri, një student i informatikës dhe unë një student i gazetarisë, bëmë të mundur që emisioni që unë drejtoja “DJ FM”, e që kishte muzikë, të ftuar, intervista të transmetohet për herë të parë në historinë e transmetimeve radiofonike të Shqipërisë në internet. Motivi ishte të na dëgjojë bota, të kuptojë se jemi aty dhe duam të jemi si të tjerët që kishin arritur zhvillimin para nesh.
Ky moment, me gjasë më spikati kur konkurrova në konkursin e BBC në Shqip, seksionit shqiptar të BBC-së. Kisha ikur më nga Tirana, i shtyrë nga mikja ime epike Adelina Marku, që të ushtroj gazetarinë në Shkup. Edhe ajo edhe unë, pjesë e atij brezi ku e mira e përgjithshme ishte kyçe, e më mjaftoi vetëm fjalia “këtu ka më shumë nevojë për gazetarë, eja”, që të vijoj profesionin në Maqedoninë e Veriut. Por vetëm pak muaj në gazetën “Fakti”, nga Shkupi profesioni më çoi në Londër. JuliaGoga, shefja e seksionit shqip të BBC-së njohu gazetarin e radios. Mbaj mend ngazëllimin e saj kur dëgjoi për transmetimin në internet dhe isha një nga katër gazetarët, bashkë me Adi Krastën, profesorin dhe mbështetësin tim të madh, Majlinda Zeqirin dhe Sokol Ballën, që filluam punë në Londër pranë Shërbimit të madh të BBC-së.
Vitet e mija, nga 1999 e deri në vitin 2011 u ndoqën me po aq zhvillime të mëdha e të dhimbshme e që kishin si sfond pasigurinë e madhe për jetën. Më duhej të kontrolloja zërin, por dridhesha kur lexoja dhe raportoja për viktimat, për bombardimet, për vrasjet, për ikjet masive e pastaj ngjashëm, për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, për Marrëveshjen e Ohrit, për sfidat pa fund që kanë sjellë atë transformim që sot e jetojmë e që rridhte nga pasiguria e madhe por e lidhur në profesion me atë shtysën për zhvillimin dhe hedhjen e atij hapi për të kaluar atë hendek të madh të prapambeturisë.
Viti 2012 më gjeti në Shkup, ku jam edhe sot. Prej dhjetë vjetësh, me po atë përkushtim për përparim e zhvillim, por edhe për t’i bërë prerje, një vlerësim arritjeve tona me të vetmin qëllim mësimin nga e kaluara, po realizoj emisionin pranë TV Alsat, “Programi 200”. I filluar si një ide për të shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, që ishte në fakt një kulmim i rritjes shqiptare në rajon, që s’kishte të bënte veç me pavarësinë, por me atë zhvillim e vetëdijesim zhvillimor të munguar, por edhe që duhej shpjeguar edhe për audiencën jo shqiptare, filloi projekti i radhës. I nxitur nga pronari Ferik Velija, që kërkonte një produkt televiziv të veçantë dhe që të ketë specifikat për të cilat kishte audiencë jo vetëm shqiptare, fillova emision “Programi 200”, suksesi i të cilit më mban ende pranë TV-së dhe publikut. Por edhe kjo nismë që pas gazetave e radios më kaloi në televizion, kishte dhe ka atë qëllim që të krijojë hapësirë për informim, debat, kritikë me të vetmin qëllim zhvillimin e përbashkët. Në këto dhjetë vjet me shpresën se kam kontribuar në misionin që më ndjek, përveç se kam sjellë shikime, personazhe dhe kritika të fenomeneve të kohës në ekran, herë pas here edhe kam shkruar rreth po të njëjtave fenomene. Këtë mundësi ma kanë dhënë Arben Ratkoceri dhe Lirim Dullovi, bashkëthemeluesit e gazetës “Koha”. Si emisioni ashtu dhe libri janë bërë me shpresë se janë një gur i vogël, që do të ndërtojë atë kalanë tonë të madhe të zhvillimit të përbashkët.
I përmend këto sepse cinikët por dhe gjithë të tjerët duhet ta dinë se sfidë vazhdon, s’ka të ndalur. Kjo duhet kuptuar prandaj mendoj se gazetaria do të marrë peshën e saj të lëkundur. Klasat tona politike do të duhet të ndjejnë presionin për largimin që bënë nga misionete brezit tonë, do të duhet të marrin lëkundje dhe përplasje për largimin nga ai koncept fisnik për të mirën e përbashkët dhe futjen në rrugën e një përfitimi vetëm personal.
Dhe ky mision, pra përpjekja për zhvillim, qenka sizifiane. Këtë kuptoj me rrugëtimin tim në profesion. Kjo është përgjigja ndaj cinikëve. S’ka të ndalur. Mund të ketë frenime, por s’ka të ndalur.
Sot s’ka luftëra te ne, në rajon, as rreziqe bazike mbijetese, por ka ikje, ikje masive.
Pse? Sepse dështimi ndaj vetes si shoqëri, është pikërisht tek ikja nga ai mision i sendërtimit të përbashkët. Debatet duhet të vijojnë, kritika duhet të vijojë. S’ka të ndalur. Misioni vazhdon. Dhe e gjitha për publikun.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)