Në kohën kur Qeveria e Maqedonisë, siç thuhet në Raport, është duke e zhvilluar procesin e reformimit të sistemit gjyqësor në vend, të dhënat e publikuara së fundmi nga Këshilli Gjyqësor tregojnë qartë se gjatë pesë viteve të kaluar (2013-2017), numri i gjykatësve në vend është zvogëluar për më pak se 127 gjykatës
Omer XHAFERI
Shkup, 8 maj – Sistemi gjyqësor në Maqedoni edhe më tej përballet me mungesë të mjeteve të mjaftueshme financiare. Ky konstatim, i cili përgjatë viteve të kaluara vazhdimisht është theksuar nga Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë, është përfshirë edhe në Raportin e vitit 2017 të këtij institucioni, ku mes tjerash thuhet se, pushteti gjyqësor në vend ka nevojë për rritjen e pavarësisë financiare, shkruan gazeta KOHA. Dispozitat e Ligjit për buxhetin e gjyqësorit në vend parashohin që me 0.8 për qind nga arka shtetërore të mbulohen të gjitha nevojat e tyre, mirëpo kjo përqindje për vitin e kaluar ka kapur vetëm 0.34 për qind nga Buxheti shtetëror. Megjithatë, në Raportin e Këshillit Gjyqësor, thuhet se në periudhën që vijon pritet të rritet Buxheti konform normave ligjore, përmes të cilit institucionet e drejtësisë në vend pa ndërprerë do t’i realizonin funksionet e veta.
Në pjesën e rekomandimeve për përmirësimin e gjendjes në sistemin gjyqësor, anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë kanë konstatuar se në të ardhmen, përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor duhet më tepër të marrin pjesë dhe të angazhohen në formimin e kornizës ligjore që zbatohet në gjyqësor. “Në periudhën që pason, siç njoftojnë nga ky Këshill, pritet të avancohet bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë si një nga organet përgjegjëse për propozimin e ligjeve që zbatohen në gjyqësor”, thuhet në Raportin e Këshillit Gjyqësor.
“Duhet të bëhet sigurimi i funksionalitetit të Sektorit për statistikë dhe analitikë në gjyqësor, me plotësimin e vendeve të punës në pajtim me Rregulloren për sistematizim të vendeve të punës në Këshillin tonë, respektivisht përmes punësimeve të reja në Shërbimet profesionale. Kjo nevojë buron edhe nga Strategjia për reforma në sistemin gjyqësor 2017-2022, ku parashihet përforcimi i kapaciteteve të Këshillit Gjyqësor në Maqedoni. Në këtë drejtim, si qasje strategjike është paraparë formimi i Njësisë të specializuar për menaxhim të sistemit të mbledhjes, përpunimit dhe analizës së statistikave që rrjedhin nga puna e gjykatave”, transmeton KOHA rekomandimin e publikuar në Raportin e Këshillit Gjyqësor për vitin 2017.
Në kohën kur Qeveria e Maqedonisë, siç thuhet në Raport, është duke e zhvilluar procesin e reformimit të sistemit gjyqësor në vend, të dhënat e publikuara së fundmi nga Këshilli Gjyqësor tregojnë qartë se gjatë pesë viteve të kaluar (2013-2017), numri i gjykatësve në vend është zvogëluar për më pak se 127 gjykatës. Ndërkohë në vitin 2017, siç thonë nga Këshilli Gjyqësor, për herë të parë është regjistruar edhe zvogëlimi i nëpunësve gjyqësor.
Nga ana tjetër, edhe përfaqësimi i bashkësive tjera etnike, përveç asaj maqedonase, në administratën e gjyqësorit në vend nuk respektohet siç duhet. Kësisoj, në kuadër të 2278 të punësuarve në administratën gjyqësor, mbi 1800 janë maqedonas (81 për qind), rreth 309 administratorë janë shqiptarë (13 për qind) dhe 6 për qind i takojnë etnisë turke, serbe, rome, boshnjake e kështu me radhë. (koha.mk)