Shkup, 11 janar – Ndërtimi i rrugës Shkup-Bllace në një distancë prej 12.5 kilometra nga vendkalimi kufitar Bllace e deri të qarkorja në Steknkovec do të fillon në kuartalin e dytë të këtij viti pasi në shkurt, do të shpallet tenderi për zgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë dy kilometrat e para të kësaj rruge. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, në konferencën për shtyp, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Transportit, Goran Sugarevski dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanov, deklaroi se më në fund, projekti i përfolur që nga viti 2002 po bëhet realitet, shkruan gazeta KOHA.
“Më në fund po i vendosim pikë ndërlidhjes së autostradës mes Maqedonisë dhe Kosovës, duke shënuar fillimin zyrtar të projektit Shkup-Bllacë”, theksoi Osmani, duke e potencuar se ky projekt ka rëndësi strategjike për vendin tonë, pasi si projekt ndërlidh Shkupin dhe Prishtinën me autostradë, paraqet pjesë të ashtuquajtur “konektiviti” agjendë për ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe do të jetë autostradë që do të mundësojë avancimin e shkëmbimit tregtar, do të sigurojë potencial për progres ekonomik.
Për aksin e parë prej 1.9 kilometrash deri më datën 20 të këtij muaji duhet të përfundojë projektimi i plotë, pas çka do të pasojë publikimi i tenderit. Kjo pjesë e autostradës duhet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm. Në mënyrë paralele me aktivitetet e fazës së parë do të punohet në projektimin e fazës së dytë nga hyrja në Bllacë deri në hyrjen në Stenkovec në Shkup në gjatësi prej 10,5 kilometra. Për të është paraparë të publikohet tender në kuartalin e parë të vitit të ardhshëm, pas çka në kuartalin e dytë do të fillonin punimet ndërtimore. Ndërtimi i plotë i aksit pritet të përfundojë nga mesi i vitit 2023… (më gjerësisht në numrin e nesërm të gazetës KOHA)