Shkup, 27 shkurt – Inspektorati shtetëror i ndërtimtarisë do ta konstatojë gjendjen në terren për ndërtimin pa leje afër kanionit Matkë për të cilin Komuna e Sarajit nuk vepron edhe pasi që gjendjen e parregullt e konstatoi inspektorati i Qytetit të Shkupit, dhe do të sjellë vendime adekuate lidhur me marrjen e mundshme të ingerencave në urbanizmin e komunës.
Qyteti i Shkupit, siç deklaroi kryetari i Qytetit, Petre Shilegov, nuk ka kompetencë ligjore për ndërtimin pa leje, për mosaktivitetin e inspeksionit ndërtimor të Sarajit është njoftuar Këshilli inspektues dhe në koordinim me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve është kërkuar të veprojë Inspektorati shtetëror i ndërtimtarisë.
“Duke vepruar në pajtim me mundësitë ligjore të Qytetit të Shkupit përmes Inspektoratit të qytetit dolën në vend të ngjarjes dhe konstatuam gjendje të parregullt. Për këtë e njoftuam Këshillin inspektues i cili duhet të ndërmarrë masa plotësuese për shkak të mosaktivitetit të inspeksionit ndërtimor të Komunës së Sarajit, ndërkaq në koordinim me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve e njoftuam Inspektoratin shtetëror i cili duhet të dalë në vend të ngjarjes për ta konstatuar gjendjen dhe në pajtim me atë të sjellë vendime adekuate nëse do t’ia marrë apo jo ingerencat urbanizmit të Komunës së Sarajit”, deklaroi sot kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
Ai i bëri thirrje Komunës së Sarajit dhe kryetarit të saj, Blerim Bexheti, siç tha, të fillojnë t’i bëjnë punët për të cilat janë zgjedhur.
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, siç konfirmuan nga atje, ka dërguar kërkesë zyrtare në Inspektoratin shtetëror të ndërtimtarisë të dalë në terren dhe ta konstatojë gjendjen faktike me ndërtimet pa leje në Komunën e Sarajit.
Sipas Ligjit për ndërtim, po bëhet mbikëqyrje inspektuese e punës së komunës, ndërsa ingerencat në urbanizëm dhe ndërtimtari merren me propozim të Inspektoratit shtetëror të ndërtimtarisë.
Pas konkludimit të djeshëm të KD të BNJVL-së se legalizimi i objekteve të ndërtuara pa leje duhet të vazhdojë me pagesë të penalltive, Shilegov sot përsëriti se grupi i formuar i punës së pari do të analizojë dhe me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve do të vendosë nëse fare do të ketë aktivitete të tilla.
Këshilli drejtues i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) dje solli konkludim të formojë komision të posaçëm të punës, së bashku me Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, do të punojë në zgjidhjen ligjore sipas mundësisë në rregullativën e tanishme ligjore që objektet e ndërtuara pa leje të futen në sistemin juridik në atë mënyrë që që krahas shërbimeve të nevojshme komunale që i paguan secili qytetar apo subjekt juridik, të paguajnë edhe penallti plotësuese, përkatësisht dënime. (koha.mk)