Gjithsej 6.040 tonë duhan apo mbi 30 për qind e pritjeve për rekoltën vjetore janë blerë bashkë me pardje, 3 dhjetor, ose për tri javë jo të plota nga fillimi i blerjes, 15 nëntor. Siç kumtoi Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU), çmimi mesatar është 190,15 denarë për një kilogram, sasitë i ndërmarrin tetë blerës (3 Dhjetor), ndërsa pagesa është realizuar 46,44 për qind me 533 milionë denarë të transferuara. “Subvencionet për duhanin janë 60 denarë për një kilogram, që do të thotë se për momentin prodhuesit mesatarisht fitojnë nga 250 denarë për një kilogram duhan”, thekson MBPEU. Sipas vlerësimeve fillestare, në rekoltën 2016 pritet të blihen rreth 20.000 tonë duhan. Marrëveshje për blerje kanë nënshkruar 10 ndërmarrje ndërsa afati përfundimtar për blerje është 15 dhjetor. “Të drejtë blerjeje ka çdo ndërmarrje e cila paraprakisht ka siguruar mjete për këtë qëllim, ndërsa duke e pasur parasysh cilësinë e lartë të rekoltës së sivjetme, interesimi për blerjen e “e verdhë ari” është shumë e lartë”, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Bujqësisë.