Nëntëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, sot zyrtarisht filloi pranimi i aplikacioneve për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Kjo u bë e mundur pas shumë përpjekjeve të organizatave dhe aktivistëve të shoqërisë civile si dhe vet të mbijetuarve.
Në Prill 2014 u miratua ligji i cili përfshiu edhe viktimat e dhunës seksuale nga koha e luftës, mirëpo u desh të kalonin katër vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit që të fillojë zbatimi i tij në praktikë dhe të fillonte procesi i aplikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe atë pas insistimit të vazhdueshëm nga QKRMT dhe organizatat e tjera, njofton Klan Kosova
“Përgjatë një viti të punës së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit për personat e dhunuar gjatë luftës, raportohet se janë dorëzuar rreth 900 kërkesa për njohjen e statusit, nga të cilat rreth 200 personave iu është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës, ndërsa rreth 100 kërkesa janë refuzuar. QKRMT si organizatë e autorizuar nga MPMS, ka përgatitur dhe dërguar në Komision 214 kërkesa, nga të cilat 41 aplikuesve iu është njohur statusi, një është refuzuar, një është në proces të rishqyrtimit, ndërsa të tjerat janë në pritje të përgjigjes”, thuhet në komunikatë nga Qendra kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve të torturës.
Në vazhdën e kontributit në procesin e njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale, në muajt e fundit QKRMT ka inicuar krijimin e procedurave gjyqësore për trajtimin e Padive të palëve që iu është refuzuar njohja e statusit nga Komisioni.
Vonesat dhe pritjet në shqyrtimin e aplikacioneve kanë shkaktuar reagime dhe pakënaqësi të aplikantëve.
“QKRMT ka vazhduar me fushata vetëdijësuese për luftimin e stigmës dhe motivimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës për aplikuar për njohjen e statusit”, thuhet mes tjerash në komunikatë.