Nga Dr. Skender ASANI
Historia e transformimeve historike e sociale në Maqedoninë e sotme, që prej një viti ka një emërtim të ri gjeografik, gjithmonë është përcjellë edhe me dilemën nëse ajo do të mbështetet në polarizime dhe stereotipe apo në tolerancë dhe mirëkuptim.
Maqedonia e Veriut ndonëse shoqëri me diversitete etnike, fetare e gjuhësore, nuk e ka luksin të mbart mbi shpinë animozitetet e së kaluarës, që në të shumtën e rasteve ishin të imponuara nga politikat hegjemoniste të Beogradit.
Tani kur shteti ka marrë datën e negociatave me BE-në dhe kur është bërë anëtar fuqiplotë i NATO-s, është anakronike të flitet për hendeqe që i bëjnë të pakapërcyeshme kalimet kulturore e civilizuese në mes të etnive. Sigurisht që ndryshimet nuk do ta kenë efektin e shkopit magjik, por ajo që është tepër esenciale të thuhet lidhet para se gjithash me gjeopolitikën e ndryshimeve rajonale, ku Maqedonia e Veriut përfundimisht është shkëputur nga ethet ftohta të Stepave dhe nga të gjitha ndikimet që vijnë prej andej.
Çdo shtet dhe çdo shoqëri i ka brendet e veta, me të cilat mburret. Dikush ka një simbol qëndrese, një tjetër ka një zbulim shkencor, kinezët, bie fjala, e kanë Murin e tyre grandioz, me të cilin kanë tërhequr vëmendjen e gjithë botës tash e disa qindra vjet.
Fati ynë është që simbolika e identifikimit tonë kalon përmes një figure që tash më është ngritur në monument planetar, ndërkohë që një shoqëri që identifikohet me madhështinë e Nënës Terezë, duhet të punojë që fryma e saj të jetë e pranishme në çdo pore të saj. Sepse nuk mjafton që ne të identifikohemi me të, por edhe të jemi shembull i tolerancës dhe mirëkuptimit të çdoditshëm. Madje ne si shtet dhe si shoqëri jemi vonuar në kodifikimin legjislativ të shëmbëlltyrës së Nënës Terezë, duke e konservuar trashëgiminë e saj edhe në rrugë ligjore.
ITSHKSH mund të jetë mbase institucioni i vetëm në botë që në kuadër të fushëveprimit të vet ka përfshi edhe një segment të rëndësishëm të zhvillimit shkencor e hulumtues, duke themeluar Departamentin për studimin dhe ruajtjen e figurës dhe veprës së Nënës Terezë. Studiuesit dhe hulumtuesit e këtij Departamenti kanë objektiva të qarta që të riaktualizojnë gjithë historinë familjare e individuale të Nënë Terezës, duke e digjitalizuar një pjesë të madhe të materialit arkivor, i cili pastaj do të na shërbente për projekte e ide që lidhen me veprimtarinë botuese, filmike-dokumentare dhe me projekte të caktuara shkencore.
Qyteti i Shkupit ditë më parë ishte në qendër të vëmendjes për disa veprime të ngutshme që nuk i bënin nder bashkëqytetares sonë, Gonxhe Bojaxhiut. Efektet e kësaj ngutje fatkeqësisht patën edhe impakt shoqëror, pasi një debati konfrontues në mes të autoriteteve të Shkupit dhe neve që përfaqësonim zërin pavarur të qytetarisë.
Por, mënyra se si e zhvilluam dhe e plasuam në opinionin publik këtë debat, krijoi një efekt pozitiv, duke iu mundësuar krerëve të Qytetit të Shkupit të reflektojnë dhe të gjejnë zgjidhje që do kthente situatën në gjendjen paraprake, që nënkupton kthimin e gjurmëve që shënjojnë themelet shtëpisë së lindjes së Nënës Terezë, hapjen e shtegut për pelegrinazh tek pllaka përkujtimore, që nënkupton edhe përfshirjen e realitetit gjuhësor brenda asaj pllake.
Ne si ITSHKSH dhe si shoqëri civile nuk kemi dashur që debatin tonë argumentues ta vendosim brenda ndonjë konteksti që do ta përjashtonte figurën e Nënës Terezë nga imazhi i urtësisë dhe dashurisë për gjithë njerëzimin. Përkundrazi jemi munduar, dhe kështu do të veprojmë edhe në të ardhmen, që përmes debateve civilizuese të demonstrojmë në praktikë se i përkasim frymës dhe nurit që rrezaton emri dhe lavdia e Nënës Terezë. Pra, në asnjë mënyrë nuk do të donim që me veprimet tona të hedhim hije mbi këtë frymë, e me këtë të minojmë urat e bashkëpunimit në mes etnive e feve tona.
Jemi në pritje të përmbushjes së premtimeve që i ka dhënë i pari i Qytetit të Shkupit, z. Shilegov, i cili me deklaratat publike ka dhënë shpresë se kur arsyeja dominon mbi inatet politike, është i mundur çdo kompromis, por edhe çdo hap që na bën të barabartë në rrugëtimin tonë drejt asaj që dikur Nënë Tereza thoshte: “Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të”.