Nëse një kandidat për President ia mësyn fushatës me idenë që të arkëtojë sa më shumë pikë në kartën (anti)shqiptare, ashtu siç ka qenë praktikë deri më tani, atëherë shqiptarët (përfaqësuesit politik) do të duhej ta ndërtojnë një qëndrim sa i përket menaxhimit të votës, pa përjashtuar edhe opsionet e bojkotit ose abstenimit
Nga Emin AZEMI
Partitë maqedonase, cilin do kandidat që ta nxjerrin për President, qoftë ai liberal, nacionalist apo i moderuar, do ta kenë vështirë të arrijnë deri te ky post pa votat e shqiptarëve. Kjo kështu ka qenë në të kaluarën dhe s’ka si të mos jetë edhe në të ardhmen. Refuzimi i tyre për të gjetur një kandidat pak a shumë gjithpërfshirës, shpërfaq edhe një herë megaloidetë e maqedonizmit të vockël i cili përpos që është i pafuqishëm të zgjedh vetë një President, është edhe qesharak në tentativën për t’u treguar i fuqishëm politikisht para shqiptarëve. Ky nacionalizëm në tentativë i maqedonasve ka mbet si relikt i një kohe kur Jugosllavia ishte unike dhe të gjitha llogaritë politike në emër të krejt qytetarëve i bënte Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste, ku si dekor mbillej edhe ndonjë shqipfolës në saksitë e lojalitetit absurd.
Në këto zgjedhje presidenciale, shqiptarët kanë mundësi edhe më tepër ta faktorizojnë vetveten, duke treguar zgjuarsi politike në menaxhimin e votave të tyre. Nëse partitë maqedonase nuk treguan kurrfarë mirëkuptimi për të gjetur ndonjë kandidat i cili do t’i përfaqësonte pak a shumë interesat dhe ambiciet e të gjithëve, përfshi edhe ato të shqiptarëve, atëherë këta të fundit me çfarë sensi duhet të tregojnë mirëkuptim minimal ndaj kapriçioziteteve maqedonase.
Është thënë se politika është si tangoja që nuk mund të luhet solo, përveç rasteve perverse kur mendjelehtësia për të prodhuar famë artificiale kufizohet me pafuqinë reale. Kjo megalomani maqedonase ndoshta nuk do t’i kishte këto trajta absurde sikur të mos ekzistonte edhe një konfuzitet i shqiptarëve për të ndërtuar qëndrime politike në momente vendimtare. Majën e këtij konfuziteti e përbën naiviteti që të hiqet dorë nga gara me kandidat vetanak, ose të përbashkët brendashqiptar. Pikërisht ka qenë ky naivitet shqiptar shkaku që në disa cikle zgjedhore imponohen kandidat maqedonas të cilët gjatë gjithë mandatit prodhojnë konfliktualitet edhe të karakterit etnik. Mjafton të ilustrojmë sjelljen e Presidentit aktual me mosdekreditimin e Ligjit të gjuhëve, por edhe refuzimi për të dekretuar disa përfaqësues shqiptarë në shërbimin diplomatik, për të kuptuar se sa të kota kanë qenë shpresat shqiptare në gjetjen e një kandidati konsensual.
Dallimi në mes të LSDM-së dhe VMRO-së në qasjet dhe metodologjitë e tyre përzgjedhëse vërehet vetëm në formë, por jo edhe në përmbajtje. Përderisa kandidatët e VMRO-së duhet patjetër të kenë në CV-të e tyre të paktën një deklaratë antishqiptare, kandidatët e LSDM-së bëhen sikur kanë mirëkuptim ndaj sensibiliteteve të shqiptarëve, por në esencë garën presidenciale e mbështesin në diskursin se deri ku janë kufijtë e lëshimeve ndaj shqiptarëve. Sepse në Maqedoni ende dominon bindja se maqedonasit duhet të japin të drejta, kurse shqiptarët t’i konsumojnë dhe sipas kësaj logjike i bie që fati i kërkesave të shqiptarëve është varur nga dhembshuria apo shpirtngushtësia e politikanëve maqedonas.
Nëse një kandidat për President ia mësyn fushatës me idenë që të arkëtojë sa më shumë pikë në kartën (anti)shqiptare, ashtu siç ka qenë praktikë deri më tani, atëherë shqiptarët (përfaqësuesit politik) do të duhej ta ndërtojnë një qëndrim sa i përket menaxhimit të votës, pa përjashtuar edhe opsionet e bojkotit ose abstenimit. Në të kundërtën nuk do të kishte kurrfarë kuptimi (mos)mbështetja e ndonjërit prej kandidatëve maqedonas, nëse kjo (mos)mbështetje nuk i krijon parakushtet për një partneritet më dinjitoz në mes të faktorëve politik maqedonas dhe shqiptar. (koha.mk)