Prishtinë, 1 tetor – Kryetari i Odës ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi kumtoi se kohën e fundit vërehet rritje e krimit dhe të papunësisë tek bizneset kosovare, raporton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Duke e promovuar Indikatorin për matjen e klimës së biznesit, Rikuqi deklaroi se në çdo indikator vërehet ulje, ndërsa keqësim të situatës në bizneset veçanërisht vërehet në tremujorin e dytë të vitit. Sipas tij, vetëm 26 për qind e bizneseve presin rritje të numrit të të punësuarve, ndërsa më shumë pengesa paraqesin konkurrenca jolojale, mungesa e investimeve dhe ekonomia joformale.
“Shqetëson rritja e numrit të plaçkitjeve dhe ne për këtë problem i kemi alarmuar kompetentët. Vetëm nga muaji gusht deri në shtator kanë ndodhur shtatë plaçkitje të bankave, ndërsa janë vërejtur edhe një numër i madh i plaçkitjeve tek bizneset në tërë Kosovën”, tha Rukiqi. Ai nuk u përgjigj në pyetjet sa para janë vjedhur në këtë shtatë plaçkitje, por theksoi se Kosova nuk ka imazh më të mirë dhe nëse vazhdon kështu, kjo do të rezultojë me tërheqjen e investimeve të huaja.