Shkup, 19 tetor – Numri i rasteve të reja me koronavirusin e ri në Evropë është rritur për 44 për qind për një javë. Shumë vende vazhdojnë t’i përforcojnë masat pasi e kaluan pragun e 250,000 vdekjeve në pandeminë në Kontinentin e vjetër. Tani ka më shumë se 40 milionë raste në të gjithë botën.
Belgjika vendosë orë policore natën në të gjithë vendin, baret dhe restorantet janë të mbyllura. Pacientë të hospitalizuar me Kovid-19 në Belgjikë u rritën për 100 për qind për një javë.
Italia vendosi mbyllje më të hershme – Restorantet do të duhet të mbyllen më së voni në mesnatë dhe të akomodojnë maksimum gjashtë persona në tavolinë, ndërsa baret do të jenë të hapura deri në orën 18:00. Masat nuk përfshijnë orë policore, siç është vendosur në shumë qytete franceze.
Qeveria sllovene shpalli gjendje të jashtëzakonshme 30-ditore pas një kërcimi të shpejtë të rasteve javën e kaluar. Është vendosur edhe orë policore nga ora 9 deri në 6 të mëngjesit.
Polonia – tashmë 152 komuna janë zonë e kuqe dhe ka ndalesë për dasma, pagëzime, mësim në distancë në shkolla dhe universitete. Autoritetet polake do të ndërtojnë një spital mobil në Stadiumin Kombëtar në kryeqytetin Varshavë. Ai do të ketë 500 shtretër për pacientët me Kovid-19. Polakët masivisht i mbështesin kufizimet.
Austri – Një numër i madh kufizimesh janë vendosur që nga e premtja, publikoi Kancelari Sebastian Kurc. Nga e premtja në mesnatë lejohen tubime në ambiente të mbyllura deri në 6 persona. Kjo do të thotë – 6 të rritur. Deri në 12 persona lejohen të mblidhen jashtë. Këto rregulla vlejnë kudo, nga restorantet deri të orët për joga, për ditëlindjet, dasmat.
Zvicra vendos mbajtje të detyrueshme të maskave në ambiente të mbyllura dhe ndalesë për mbledhje të më shumë se 15 personave.
Mali i Zi i mbyll restorantet dhe kafenetë në qytetet kryesore.
Disa rajone spanjolle i kanë forcuar kufizimet lidhur me virusin në përpjekje për ta kontrolluar valën e dytë të infeksionit, kështu që qytetet Burgos dhe Arandu de Duero të mbyllen nga nesër në mbrëmje për të gjitha udhëtimet përveç atyre të nevojshme. Autoritetet në rajonin verior Kastile dhe Leon kanë paralajmëruar se nga e marta në mbrëmje do ta mbyllin qytetin Burgos dhe qytetin afër Arandu de Duero, për të gjitha udhëtimet përveç të nevojshmeve, pasi shkalla e infeksionit i tejkaloi 500 raste për 100.000 njerëz. Rajoni vendosi kufizime të ngjashme në qytetet Salamanka, Leon dhe Palensia javën e kaluar.
Ditët e fundit, Belgjika shënon mbi 10,000 të sëmurë të rinj çdo ditë. Numri mesatar ditor i vdekjeve i ka tejkaluar 30, ndërsa vatrat më të mëdha të Kovid-19 janë akoma Brukseli dhe Valonia. Ministri belg i Shëndetësisë Frank Vanderbruk paralajmëroi se Brukseli dhe Valonia janë “duke iu afruar një cunami”. “Kjo do të jetë një situatë ku nuk do të jemi më në gjendje ta kontrollojmë atë që po ndodhë. “Brukseli dhe Valonia janë të rrezikuara nga një situatë e tillë”, tha Vanderbruk. Ai shtoi se situata në Bruksel dhe Valonia është më e rënda në Belgjikë, ndërsa me këtë edhe “më e keqja në të gjithë Evropën”.
“Nga nesër në Bukuresht nxënësit do të kalojnë në mësim onlajn, ndërsa mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme brenda dhe jashtë”, deklaroi zëdhënësja e prefekturës, Mariana Stanku-Cipishka. Ajo shpjegoi se aktiviteti i kinemave, teatrove dhe sallave të koncerteve është i ndaluar, si edhe i restoranteve të mbyllura, përveç atyre në hotele dhe konvikte, të cilët kanë të drejtë të shërbejnë vetëm mysafirë në ambientet e tyre. Masat, të cilat hyjnë në fuqi në orën 20:00 më 20 tetor, do të vlejnë për 14 ditë.
Midis marsit dhe qershorit të këtij viti, 168,000 vdekje të tjera u regjistruan në BE krahasuar me mesataren për të njëjtën periudhë nga viti 2016 deri në vitin 2019, publikoi sot Zyra Evropiane e Statistikave Eurostat, duke theksuar se të dhënat i referohen 26 vendeve anëtare.