Një Ligj që do të rregullonte sferën e përdorimit të mediave, do të ishte më se i nevojshëm edhe për faktin se shoqëritë e zhvilluara nuk ua lënë individëve që në mënyrë pavarur dhe josistematike të merren me përvetësimin dhe avancimin e shkathtësive për të analizuar efekteve që kanë mediat në jetën tonë të përditshme. Ky, mbi të gjitha është obligim institucional e kompetent që rregullon në mënyrë të drejt e profesionale të kontestit shoqëror, teknologjik, argëtues, informues të mediave në jetën e njeriut, sidomos të moshave më të reja
Nga Emin AZEMI
Në kuadër të diskutimeve për Ligjin e arsimit fillor dhe të mesëm, do të duhej të inkorporohet edhe nevoja e përfshirjes së Edukimit mediatik, si lëndë e obligueshme në kuadër të planprogrameve të reja mësimore. Janë të shumta arsyet, si edhe nevojat, që nxënësit e sotëm, të cilët nesër do të jenë qytetarë të denjë me obligime e përgjegjësi shoqërore, të arrijnë të identifikojnë manipulimin mediatik dhe në mënyrë autonome të ndërtojnë qëndrime e pikëpamje pa qenë të ndikuar domosdoshmërisht nga mediat.
Koncepti për shkollën si “magazinë e dijës” sot gjithkund në botë po braktiset dhe në vend të kësaj po promovohen forma të reja të mësim-nxënies, duke e bërë më funksionale lidhjen në mes të dijeve skolastike dhe praktikës. Sfidat që po vijnë si rezultat i përparimit teknologjik, nuk kanë lënë pa prekur edhe arsimin, kurse më të goditurit ndaj këtyre sfidave janë nxënësit. Interneti sot është bërë vegla e kudondodhur dhe tundimi që prodhon ai është i papërballueshëm, nëse nuk krijohen paraprakisht mekanizma që do ta zbutnin shkallën e ndikimit pa kriter të nusuprodukteve që nxjerr interneti (rrjetet sociale, reklamat, blogjet etj.)
Sikundër dihet, Edukimi mediatik nxit dhe zhvillon disa shkathtësi : teknike (aftëson qasjen ndaj mediave), kritike ( të kuptuarit e përmbajtjeve mediatike, të aftësuarit e interpretimit të tyre dhe vlerësimin kritik) dhe praktike (aftësia e të kuptuarit të porosive mediatike).
Ndërkaq, objekt shqyrtimi i edukimit mediatik do të ishin: përmbajtjet e dëmshme mediatike (dhuna, reklamat, pornografia), ndikimi i mediave dhe përmbajtjet e dëmshme, rregullimi dhe vetërregullimi (konventat, kornizat ligjore dhe kodet etike gazetareske dhe reklamuesit), pastaj teknologjitë e reja dhe roli i tyre shoqëror, industrializimi i informacionit, kultura dhe argëtimi, komunkimi interaktiv, zhanret e reja mediatike, siç është blogu etj.
Edukimi mediatik ishte definuar si nocion dhe si përmbajtje qysh në Konferencën ndërkombëtare (National Leadreship Conference on Media Literacy, 1992) që nënkuptonte “aftësinë e qasjes, analizës, vlerësimit dhe transmetimit të porosive përmes mediave).
Nëse i bëjmë një interpretim të lirë fushëveprimit që do të kapte Edukimi mediatik, të pashmangshme do të ishin temat që kanë të bëjnë me përvetësimin e shkathtësive kreative dhe kritike, gjegjësisht dijeve që ndihmojnë lidhshmërinë e ideve komplekse, si dhe identifikimi i dilemave që janë në themelet e lirive njerëzore e intelektuale. Ky përkufizim mbi edukimin mediatik nuk lë mangut edhe komponentën mjaft të rëndësishme që kanë mediat si burim informacioni e argëtimi, për të cilat duhet patur njohuri e shkathtësi.
Një Ligj që do të rregullonte sferën e përdorimit të mediave, do të ishte më se i nevojshëm edhe për faktin se shoqëritë e zhvilluara nuk ua lënë individëve që në mënyrë pavarur dhe josistematike të merren me përvetësimin dhe avancimin e shkathtësive për të analizuar efekteve që kanë mediat në jetën tonë të përditshme. Ky, mbi të gjitha është obligim institucional e kompetent që rregullon në mënyrë të drejt e profesionale të kontestit shoqëror, teknologjik, argëtues, informues të mediave në jetën e njeriut, sidomos të moshave më të reja.
UNESCO, madje, qysh në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar kishte inicuar idenë e edukimit mediatik. Duke e bazuar idenë në rëndësinë që kanë mediat në jetën e individit dhe të familjes, ishte kërkuar që në nivele ndërkombëtare të mblidhen studiues për të shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së edukimit mediatik në sistemin arsimor në të gjitha shtetet e zhvilluara dhe më pak të zhvilluara. Për rrjedhojë, ishte nënshkruar edhe Deklarata mbi edukimin mediatik (Declaration of Media Education) në vitin 1982, ndonëse që nga nënshkrimi i kësaj Deklarate e deri më sot koncepti mbi edukimin mediatik deri-diku ka ndryshuar, varësisht prej sfidave dhe konteksteve nëpër të cilat kalojnë shoqëritë. Maqedonia, gjithsesi, nuk është imune ndaj këtyre sfidave, kurse Ligji për edukimin mediatik do të ishte mjet parandalues i devijimeve që prodhon xhungla e pakrasitur e internetit dhe mediave të reja. (koha.mk)