Paris, 11 tetor – Në nëntë muajt e parë të këtij viti për shkak të veprimtarisë së tyre profesionale janë vrarë 56 gazetarë, që është më shumë se gjatë tërë vitit 2017, thuhet në kumtesën e organizatës joqeveritare Reporterë pa kufij.
Organizata thekson se viti 2017 ishte viti me numrin më të vogël të vrasjeve të gazetarëve në 14 vitet e fundit, por në vitin 2018 nuk vazhdon trendi i tillë ulës.
“56 gazetarë janë vrarë për shkak të profesionit të tyre. Numri rritet dhe duhet të shtohet mbi dhjetë raste, që i heton Reporterë pa kufij. ky numër shqetësues na orienton se urgjentisht duhet bërë akoma më shumë për mbrojtjen e gazetarëve”, theksoi sekretari i përgjithshëm i Reporterë pa kufij, Kristof Doloar.
Ai shtoi se për këtë Reporterë pa kufij përsëri insiston për emërimin e përfaqësuesit të posaçëm në Kombet e Bashkuara, i cili do të jetë i obliguar për mbrojtjen e gazetarëve, masë e mbështetur prej një sërë shtetesh si edhe prej 130 mediave, organizatave dhe sindikatave nga e mbarë bota.
Vendi më i rrezikshëm për gazetarët është Afganistani, ku nga fillimi i vitit janë vrarë 13 gazetarë. Më 30 prill në Afganistan jetën e humbën 10 gazetarë. Nëntë persona e humbën jetën në një sulm të dyfishtë me bomba, në mesin e të cilëve edhe reporteri i AFP-së në Kabul, Shah Maraj. Në po të njëjtën ditë korrespondenti i Bi-Bi-Si, Ahmad Shah e humbi jetën në një sulm të armatosur në Afganistanin lindor.
Reporterë pa kufij thekson se është ulur numri i gazetarëve të vdekur në Siri në krahasim me vitin e kaluar. Nga fillimi i vitit 2018 në Siri janë vrarë dy gazetarë, ndërsa në vitin 2017 – nëntë.