Arijeta Emshiu, psikologe, mendon se krahas keqpërdorimeve, rrjetet sociale apo në përgjithësi interneti ka rol edukues dhe informativ. Sipas saj, institucionet duhet të punësojnë sa më shumë psikologë dhe të merren sa më shumë me rritjen dhe zhvillimin e integritetit të rinjve
Urim HASIPI
Tetovë, 16 tetor – Fenomenit të keqpërdorimit të rrjeteve sociale nuk i është shmangur dot as rajoni i Pollogut. Zakonisht kemi të bëjmë raste të keqpërdorimit të fotografive dhe profileve në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram. Jo rrallë herë, policia ka informuar edhe për shantazh me fotografi, kur një person posedon fotografi intime të bashkëbiseduesi dhe që të mos i publikojë të njëjtat kërkon në këmbim para, shkruan gazeta KOHA. Janë diku afër 60 raste brenda dy viteve që janë denoncuar në policinë e Tetovës për keqpërdorim të të dhënave personale në rrjetet sociale. Kësisoj, gjatë nëntë muajve të këtij viti, në policinë e Tetovës janë denoncuar 28 raste për keqpërdorimin e të dhënave personale.
Sipas informacioneve të policisë, deri tek gjykatësi përkatës janë lëshuar po aq parashtresa adekuate, prej të cilave 11 raste janë me keqpërdorues të njohur dhe procedura vazhdon në Gjykatën Themelore në Tetovë, kurse 17 vepra të këtilla joligjore janë me kryerës të panjohur dhe punohet në zbulimin dhe identifikimin e tyre.
“Ndërsa, sa i përket vitit 2018, kanë qenë të regjistruara 33 raste lidhur me keqpërdorimin e të dhënave personale, prej të cilave 10 janë me kryerës të njohur të veprës, për të cilët janë përgatitur parashtresa adekuate deri tek gjykatësi përkatës, kurse në 23 raste kemi të bëjmë me kryerës të panjohur, kështu që, të gjitha lëndët janë të procesuara në Gjykatën themelore në Tetovë”, thotë zëdhënësi i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, Fatmir Rexhepi.
Ndërkaq, Arijeta Emshiu, psikologe, mendon se krahas keqpërdorimeve, rrjetet sociale apo në përgjithësi interneti ka rol edukues dhe informativ. “Problem më i madh që ndodh nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale është varshmëria, neve nuk mund tu shmangemi atyre sepse ne vazhdimisht jemi me celular në dorë dhe fatkeqësisht pësojnë edhe fëmijët, kështu ato rriten duke u bërë pre e teknologjisë, mirëpo ne normal që nuk duhet ta shohim vetëm aspektin negativ sepse ne aty marrim informacione shtesë edukative mbi tema të caktuara të cilat neve na nevojiten. Cenimi i privatësisë ndodh sepse ne vetë postojmë fotot tona private, sepse nuk mund dikush t’i ketë fotot tona nëse ne nuk i postojmë ato. Sa më shumë japim informata për vete, aq më shumë keqpërdorime kemi, na cenohet edhe integriteti ynë”, thotë Emshiu.
Sipas saj, institucionet duhet të punësojnë sa më shumë psikologë dhe të merren sa më shumë me rritjen dhe zhvillimin e integritetit të të rinjve.
“Interneti jo domosdoshmërish e dëmton shoqërinë tonë, gjithashtu shërben si mjet edukues, sepse përmes internetit ne arrijmë që në mënyrë më të lehtë që t’i qasemi dhe t’i marrim informatat të cilat neve na janë të dobishme. Viteve të fundit ndodh ky keqpërdorim sepse ne jetojmë në një popullatë shumë primitive, flas për një shtresë shumë laike, të cilët qëllim të vetëm e kane degradimin e një personaliteti. Në këtë drejtim, duhet që në raste të caktuara kur personat kanë varshmëri dhe nuk mund të kontrollojnë veten në rrjete sociale, të drejtohen tek psikologët, tha Arijeta Emshiu psikologe.
Ndërkohë, policia e Tetovës, nga fillimi i këtij viti, ka realizuar projektin për edukim dhe parandalim të keqpërdorimit të të dhënave në internet. Pjesëtarë të policisë, të trajnuar profesionalisht, në orë të veçanta kanë sqaruar si dhe në çka duhet pasur kujdes, kur shpërndajnë të dhënat personale dhe fotografi në rrjetet sociale, gjegjësisht si të mbrohen në mënyrë efikase nga keqpërdorimi i të dhënave të tyre personale, fotografi dhe video-klipe të incizuara. (koha.mk)